Bota

Për herë të parë, Irani ekzekuton një person të arrestuar në protestat e muajve të fundit!

Irani ekzekutoi një të burgosur, i dënuar me vdekje pas pjesëmarrjes në protestat e fundit. Ky shënon të parin ekzekutim nga Teherani. Ndërkohë, të tjerë të burgosur përballen me dënime me vdekje për përfshirje në manifestimet e mëdha. Protestat shpërthyen kundër Policisë për Moralin, pas vdekjes së Mahsa Aminit, 22-vjeçares së ndaluar se nuk e mbante si duhet shaminë e kokës.

Po ashtu, tubimet janë zgjeruar me të tjera kërkesa, duke e sfiduar regjimin e Iranit në mënyrën më serioze të mundshme, që nga koha e Revolucionit Islamik të vitit 1979. Aktivistët paralajmërojnë se të tjerë njerëz mund të ekzekutohen. Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i Grupit për të Drejtat e Njeriut në Iran dhe që e ka selinë në Oslo shprehet:

Ekzekutimi i Mohsen Shekarit duhet të çojë në reagime të fuqishme, pasi në të kundërtën do të përballemi me ekzekutime të përditshme të protestuesve. Ky ekzekutim duhet të shoqërohet me pasoja konkrete në nivel ndërkombëtar.

Sipas agjencisë së lajmeve, Mizan “personi i ekzekutuar akuzohej për bllokim të rrugëve dhe sulm ndaj pjesëtarëve të sigurisë në Teheran”.

Deri tani, të paktën 475 persona kanë humbur jetën në protestat e nisura javë më parë në Iran. Mbi 18 mijë të tjerë u arrestuan. Irani është një prej vendeve që kryen më shumë ekzekutime në botë, kryesisht me varje.

Irani shpërbën Policinë e Moralit, në mesin e protestave që vazhdojnë pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini, e ndaluar në shtator nga kjo polici, me pretendimin se shkeli rregullat e mbajtjes së hixhabit. Fillimisht, efektivët e kësaj strukture jepnin paralajmërime, por më pas nisën me arrestimet e vajzave e grave, me pretendimet se nuk respektojnë rregullat. Një zyrtar nuk u ndal në arsyet se përse po mbyllet, por i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, tha vetëm se “Policia e Moralit nuk ka të bëjë me gjyqësorin”. Kontrollet e kontestuara të Policisë së Moralit nisën në vitin 2006 kur Republika Islamike udhëhiqej nga presidenti i linjës së ashpër, Mahmud Ahmadinejad. Kjo me qëllim që të zbatoheshin rregullat e veshjes islame, veçanërisht sa i përket mbajtjes së hixhabit.