Aktualitet

Përfundon takimi BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel!

Në Bruksel përfundoi Samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku 27 kryetarë të shteteve dhe qeverive europiane diskutuan me kolegët nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë. Ndërkohë, u anulua konferenca për shtyp pas pjesës hyrëse të samitit, në të cilën pritej të flisnin liderët e vendeve të BE-së dhe që ishte planifikuar të zhvillohej rreth mesditës. Ndërkohë, kryeministri Rama, presidenti serb Vuçiç e shefi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski kanë dalë në një konferencë shtypi në Bruksel.

Mësohet se shumë drejtues europianë u shprehën në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, çka u kërkua edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen. Mbledhja nuk ishte e tipit vendimmarrës.

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasdite, për të diskutuar mbi zgjerimin e Unionit. Krahas vendimit tashmë të konfirmuar për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, ata do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus, mundësia që Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut t’i jepet drita jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bllokun. Por, kjo nuk mund të ndodhë pa u kapërcyer pengesa e vënë nga Bullgaria që me Maqedoninë e Veriut përplaset për çështje të identitetit.

Ndërkaq, po shkakton debate veto bullgare ndaj Shkupit e që mban të bllokuar edhe Tiranën në vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Pas thirrjes së eurokomisionerit Varhelyi që Sofja të përmbushë angazhimet, kryediplomati europian Borrell shprehet se “nuk janë aty ku duhet me Ballkanin”.

Sot duhej të nisnim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e nuk mund të mos e fsheh keqardhjen time. Ende ka shpresë, nuk e di se çfarë mund të bëjë Parlamenti në Bullgari, por duket se nuk po shkon mirë.

Sipas shefit të diplomacisë së BE-së, “unanimiteti është problem, nuk mund të vazhdohet me një vend që bllokon gjithçka”.

Në një tjetër zhvillim, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që pa vonesë, Ukrainës dhe Moldavisë t’i jepet statusi i vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Dokumenti kaloi me 529 vota pro, 45 kundër e 14 abstenime. Gjithashtu, eurodeputetët u bëjnë thirrje liderëve të BE-së që t’i japin Gjeorgjisë të njëjtin status, por pasi qeveria të ketë përmbushur prioritetet e treguara nga Komisioni Europian.