Bota

Përhapje me shpejtësi e Omicron-it, Europa ashpërson masat/Amerika diskuton vaksinimin sezonal!

Siç u paralajmërua, në Europë, varianti Omicron i koronavirusit po përhapet me shpejtësi shumë të lartë. Në Francë janë të bindur se në janar 2022 do të dominojë, ndaj duke nisur nga kjo fundjavë, autoritetet franceze vendosin kufizime të ashpra të udhëtimeve për pasagjerët që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar. Pezullohen udhëtimet për qëllime biznesi e turizëm. Kryeministri Jean Castex thotë se “këto kufizime janë pjesë e një sërë masash që kanë për qëllim të frenojnë përhapjen e koronavirusit”.

Franca synon të kërkojë edhe dozën e tretë të vaksinës, që qytetarët të mund të shkojnë në restorante. Si kusht për të përdorur transportin publik duhet respektuar me patjetër distancimi fizik.

Vitin e ardhshëm, qeveria franceze do të njoftojë masa të reja, që kanë për qëllim të luftojnë hezitimin në bërjen e vaksinave anti-COVID.  Nuk është e pranueshme që miliona francezë refuzojnë të vaksinohen, duke vënë në rrezik jetën e të gjithë qytetarëve.

Deri tani, Mbretëria e Bashkuar rezulton vendi më i goditur në kontinentin tonë nga Omicron dhe dje u regjistruan rreth 15 mijë raste të reja.

Në mbarë Europën, po përgatiten për një valë të re infektimesh.

Edhe Gjermania, Irlanda e Holanda, po ashtu kanë njoftuar se do të ashpërsojnë masat për shkak të Omicron-it. Sipas të dhënave të BE-së, deri tani, Europa ka regjistruar mbi 89 milion raste me koronavirus e 1.5 milion vdekje.

Në Amerikë, kryeimunologu Anthony Fauci, këshilltar kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, lë të hapur mundësinë që vaksinimi kundër koronavirusit të jetë sezonal.

Duhet të presim dhe të shohim çfarë do të kërkohet në muajt në vijim. Mund të na duhet edhe një dozë e katërt, por shpresoj të mos ndodhë, pasi na duhet një nivel kohëzgjatjeje mbrojtjeje, që shkon përtej gjashtë muajve. Ne kemi nevojë për dozën e tretë sepse është pjesë integrale e regjimit vaksinor, kështu që është e mundur që pas dozës së tretë nuk do të kemi nevojë për një dozë tjetër për më shumë se gjashtë muaj.