Aktualitet Bota

1.5 vjet nga pandemia, përmirësimi i bërë në trajtimin e rasteve me COVID-19

Një vit më parë, asnjë trajtim për COVID-19 nuk ishte provuar të ishte i sigurt dhe i efektshëm, por situata sot ka ndryshuar. Ilaçet që forcojnë organizmin me antitrupa bllokues të virusit po i mbajnë njerëzit e infektuar tani larg spitaleve. Ilaçe të tjera po ndihmojnë pacientët më të sëmurë të mbijetojnë. Vaksinat kanë filluar të frenojnë pandeminë. Por me rreth 60,000 raste të reja çdo ditë në Shtetet e Bashkuara dhe shumë më tepër në të gjithë botën, mjekët thonë se nevojiten më shumë trajtime edhe më të mira. Në krye të listës së dëshirave të tyre është një pilulë ose trajtime të tjera të lehta për t’u përdorur që mund t’i mbajë njerëzit me simptoma të hershme të mos sëmuren rëndë.

Nëse Priscila Medina do të ishte prekur me COVID-19 një vit më parë, ajo nuk do të kishte marrë trajtime të sigurta dhe të efektshme. Por kur infermierja 30-vjeçare shkoi në një spital në Long Island muajin e kaluar, në gjendje të rëndë aq sa nuk merrte dot frymë e mezi fliste, mjekët dinin si ta trajtonin.

Ata vendosën që ajo të merrte një ilaç të ri që furnizon organizmin me antitrupa. “Të nesërmen isha në gjendje të ngrihesha dhe të lëvizja”, tha ajo. Pas dy ditësh, “me të vërtetë fillova të ndjej përmirësim”.

Trajtime si këto mund të ndihmojnë pacientët e diagnostikuar rishtasi të shmangin shtrimin në spital, por ato janë shumë pak të përdorura sepse kërkojnë një ndërhyrje intravenoze. Ilaçe të tjera për pacientë më të sëmurë mund të shpejtojnë shërimin, por vetëm disa përmirësojnë mbijetesën.

Ndërsa vaksinat po ndihmojnë në frenimin e pandemisë, nevojiten trajtime më të lehta dhe më të mira, veçanërisht me përhapjen e varianteve të virusit.

Po shohim gjithnjë e më shumë të rinj që kanë probleme serioze … që sëmuren rëndë e që shtrohen në spital. Herë pas here ka edhe vdekje tragjike, tha eksperti i lartë i sëmundjes infektive të qeverisë amerikane, Dr. Anthony Fauci, kohët e fundit në Klubin Kombëtar të Shtypit.

Nevoja më e madhe është për një ilaç të përshtatshëm, një pilulë të vetme “që mund të parandalojë njerëzit me simptoma të përkeqësohen dhe të kenë nevojë për shtrim në spital”, tha ai.

Një vështrim i trajtimeve që janë në horizont dhe opsioneve të mundshme.

NJË PILULË E VETME

Zhvillimi i barnave për sëmundjet e frymëmarrjes është i vështirë, pjesërisht sepse dozat duhet të jenë mjaft të larta që ilaçi të arrijë thellë në mushkëri, por jo aq të larta sa të jenë toksike për trupin.

Kërkimet për trajtime gjithashtu ishin më të ngadalta sepse qeveria amerikane fillimisht u dha përparësi vaksinave. Vetëm në fund të prillit 2020 trajtimi i parë për COVID-19 tregoi përfitime në një studim të madh të fiancuar nga qeveria.

Ilaçi në fjalë – Remdesivir, i shitur si Veklury nga kompania Gilead Sciences Inc. – mbetet i vetmi i miratuar për COVID-19 në SH.B.A., megjithëse disa të tjera, janë të autorizuar për përdorim urgjent.

Remdesivir është gjithashtu i vetmi ilaç antiviral për COVID-19 që ndërhyn në frenimin e riprodhimit të virusit – dhe “me të vërtetë kemi nevojë për më shumë nga ky medikament”, tha Drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetit Dr. Francis Collins në një seminar kohët e fundit.

Disa kompani, përfshirë Pfizer, Roche dhe AstraZeneca, po testojnë antiviralë në formë pilule. Molnupiravir, nga kompania Merck dhe Ridgeback Biotherapeutics është në fazën më të avancuar. Duket se ilapi nuk i ndihmon pacientët e shtruar në spital por tregon premtime në personat më pak të sëmurë. Rezultatet e një studimi madhor për medikamentin priten këtë vjeshtë, thanë kompanitë.

Nëse miratohet, ilaçi mund të merret në shtëpi kur shfaqen simptomat për herë të parë, ashtu si përdoren barnat antivirale për gripin. Në një studim, Instituti Kombëtar i Shëndettit gjithashtu po shikon mundësinë e përdorimit në shtëpi të deri shtatë barnave të përdorura tashmë për sëmundje të tjera.

Edhe vaksinat po provohen tani si trajtime. Disa njerëz me “COVID afatgjatë” thanë se simptomat e tyre të zgjatura u përmirësuan pas vaksinimit.

OPSIONET PËR PACIENTËT JASHTË SPITALIT

Tani ka një zgjedhje: Ilaçet e antitrupave, të cilat mund të zvogëlojnë shanset e nevojës për t’u shtruar në spital me 70% nëse jepen brenda 10 ditëve nga fillimi i simptomave. Kompania Eli Lilly dhe Regeneron Pharmaceuticals janë autorizuar të ofrojnë trajtimet e tyre për pacientët me rrezik të lartë të sëmundjeve serioze dhe qeveria amerikane i jep ato falas, megjithëse ndonjëherë ka një tarifë për ndërhyrjet me intravenozë.

Antitrupat prodhohen nga sistemi imunitar për të luftuar virusin, por duhen javë pas infektimit që ato të formohen. Barnat furnizojnë organizmin me versione të krijuara në laborator që mund të ndihmojnë organizmin menjëherë. Kombinimet e antitrupave po përdoren tani sepse disa variante të virusit mund të shmangin disa antitrupa.

Kërkesa për këto ilaçe ka qenë çuditërisht e ulët – shumë pacientë nuk dinë për ekzistencën e tyre, mjekët dhe spitalet fillimisht nuk ishin të përgatitura për t’i administruar, megjithëse Regeneron gjithashtu ka testuar dhënien e trajtimit të ilaçin përmes shiringës.

“Kjo është me të vërtetë një terapi që shpëton jetën. Ne mendojmë se ka një mundësi të jashtëzakonshme për t’u përdorur më shumë”, tha Dr. Donald Yealy, shefi i mjekësisë emergjente në Universitetin e Qendrës Mjekësore të Pitsburgut.

TRAJTIMET NË SPITALE

Opsionet varen nga fakti se sa të rënda janë simptomat dhe koha ka rëndësi. Disa ilaçe mund të shpëtojnë jetën në një pikë dhe të jenë të dëmshme në një tjetër.

Remdesivir përdoret për pacientët që kanë nevojë për oksigjen shtesë, por jo respiratorë. Në studime, ai shkurtoi kohën e shërimit me mesatarisht pesë ditë, nga 15 në 10 ditë. Por nuk ka treguar se përmirëson mbijetesën, kështu që një panel udhëzues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë kundërshtoi përdorimin e ilaçit të kushtueshëm.

Ilaçet e vetme që zgjasin mbijetesën janë deksametazoni dhe steroid të ngjashëm për pacientët e sëmurë që kanë nevojë për oksigjen shtesë dhe kujdes intensiv. Nëse përdoren më herët, kur pacientët janë të sëmurë më lehtë, ato mund të bëjnë dëm.

Herët, është mirë që sistemi imunitar të luftojë virusin, kështu që trajtimi synon të ndihmojë që kjo të ndodhë, shpjegoi Dr. Fauci. Ndërsa sëmundja përparon, sistemi imunitar mund të bëhet tepër aktiv dhe njerëzit mund të vdesin nga kjo. Një mori ilaçesh për inflamacion dhe përgjigje të tjera imune janë duke u provuar për këtë fazë të mëvonshme të sëmundjes.

Instituti Kombëtar i Shëndetit thotë se doza të plota të holluesve të gjakut si heparin mund të ndihmojë njerëzit që janë të sëmurë të shmangin përdorimin e respiratorëve. Pothuajse të gjithë pacientët e shtruar në spital me COVID-19 marrin doza të ulëta tani për të parandaluar mpiksjen e gjakut. Hulumtimet sugjerojnë që doza më të larta mund të ndihmojnë njerëzit që nuk janë ende të sëmurë kritikë, por mund të dëmtojnë ata që janë të sëmurë rëndë.

MËSIMET E NXJERRA

Mjekët tani e dinë që disa ilaçe nuk funksionojnë, përfshi medikamentin e malaries hidroksiklorokinën. Kjo mund të jetë po aq e rëndësishme sa të dish se çfarë duhet të provosh, thotë Dr. Adarsh Bhimraj me Klinikën Cleveland, i cili ndihmon në zhvillimin e udhëzimeve për trajtimin në Shoqatën e Sëmundjeve Infektive të Amerikës.