Bota

Pesë vende të BE-së, thirrje për rritjen e prodhimit të vaksinave!

Para samitit virtual dy-ditor të Bashkimit Europian që nis sot, pesë vende anëtare bëjnë thirrje që Blloku të sigurojë fonde për shtimin e prodhimit të vaksinave kundër koronavirusit. Po ashtu, të përshtaten programet e vaksinimit me llojet e reja të virusit.

Kryeministrat e Spanjës, Belgjikës, Danimarkës, Lituanisë e Polonisë i dërguan një letër presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel e liderëve të tjerë europianë. Në shtetet e BE-së, vaksinimi i nisur dhjetorin e kaluar nuk po ecën sipas pritshmërive e kjo për shkak të problemeve të logjistikës, personelit e furnizimit.

BE-ja deri më tani ka marrë 40,7 milionë nga 106 milionë doza të vaksinave që pret të marrë në tremujorin e parë të vitit. Ajo është përqëndruar në prodhimin e vaksinave me 16 fabrika në BE për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave.