Rajoni

Peticioni serb në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon javën tjetër firmat e mbledhura!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve javën e ardhshme do të nxjerrë konstatimin për validitetin e nënshkrimeve të mbledhur nga qytetarët serbë për shkarkimin e kryetarëve të veriut.

Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u shpreh se procesi është në përfundim.

“Javën tjetër diku kah fundi i javës do ta trajtojmë atë çështje, nuk jemi të gatshëm me të por, java tjetër do të jetë përfundimtare lidhur me peticion”.

Radoniqi po ashtu bëri të ditur se do të miratohen edhe rregulloret për pjesën e dytë të procesit të shkarkimit të kryetarëve të komunave veriore.

“Paraprakisht, kemi me i miratu disa rregullore të brendshme zgjedhore çka janë të nevojshme për çfarëdo procesi zgjedhor në të ardhmen”.

Pas verifikimit të nënshkrimeve dhe rregulloreve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të organizojë votimin me pyetjen për shkarkimin e kryetarëve, për çka duhet votim nga 50 plus një për qind e votuesve. Këtë, Komisioni Qendror duhet ta bëjë brenda 45 ditëve, e po aq kohë pas këtij procesi ka edhe presidentja të shpallë zgjedhjet në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.

Qytetarët serbë kërkojnë shkarkimin e kryetarëve shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të shkuar.