Botë e Çuditshme Food & Drink

Pija që i bënte njerëzit injorantë dhe të dhunshëm!

Chicha, një pije indigjene, po rikthehet kudo në Kolumbi. Që nga viti 1949, konsumimi i saj u ndalua dhe kushdo që tentonte ta provonte rrezikonte të burgosej. Chicha thuhej se i bënte njerëzit injorantë dhe të dhunshëm. Gjithashtu, mendohej se lëshonte toksina helmuese që mund të shkaktonin një sëmundje të quajtur chichismo (ngadalësim i trupit dhe i mendjes).

Shekuj para se të vinin kolonizatorët evropianë, populli indigjen Muisca, i cili banonte në kryeqytetin e sotshëm Bogota, prodhonte chicha, sipas një procesi tradicional. Gratë përtypnin misrin dhe pështynin purenë në një tas balte, nga pështyma e tyre niste fermentimi. Më pas, e groposnin tasin nën tokë për ta mbajtur të freskët. E nxirrnin atë dy javë më vonë, kur formohej një përzierje e trashë e verdhë, pak alkoolike.

Mirëpo jo çdo grua mund të përtypte misër për të përgatitur chicha, vetëm gratë e zgjuara të komunitetit lejoheshin për ta bërë këtë. Kjo pasi besohej se ato i kalonin mençurinë e tyre konsumuesve të tjerë. Përtypja e sasive të mëdha të misrit kërkonte kohë dhe përpjekje. Për këtë arsye, fillimisht chicha prodhohej në sasi relativisht të vogla dhe rezervohej vetëm për disa festa ose ceremoni të veçanta.

Më vonë, njerëzit mësuan të shtypnin misrin në vend që ta përtypnin dhe kështu nisën të bënin chicha në sasi më të mëdha. Në shekullin e 19-të, pija ishte një pjesë integrale e dietës së njerëzve në Kolumbi. Birrarët e prodhonin atë në mënyrë komerciale. Deri në atë periudhë, chicha konsiderohej një pije e shëndetshme, pasi besohej se u jepte njerëzve forcë. Mjekët e kohës thoshin se ajo ishte plot me vitamina, proteina dhe energji.

Në vitin 1889, mjeku Liborio Zerda, i cili punonte në laboratorin kimik të shkollës së mjekësisë në Bogota, pohoi se chicha ishte toksike. Mjekët deklaruan se të varurit nga chicha, të bënte të humbisje energjinë, dëshirën për të punuar, si dhe shkaktonte transformim fizik e mendor.

Chicha gjithsesi i mbijetoi fushatave ndaluese, derisa kandidati liberal presidencial, Jorge Eliecer Gaitán, u vra në Bogota në vitin 1948, duke e futur vendin në trazira dhe luftë civile. Disa politikanë deklaruan se kryengritjet u shkaktuan nga gjendja patologjike e të varfërve që kishin konsumuar chicha.

Burgjet u mbushën me njerëz që pinin chicha. Një vit më vonë, ministri i Higjienës miratoi një ligj që ndalonte prodhimin dhe shitjen e chicha-s në Kolumbi dhe të gjitha chicherías, vendet që prodhoheshin ose servireshin u zhdukën brenda natës. Megjithatë, njerëzit nuk ndaluan kurrë së prodhuari fshehurazi pijen e lashtë. Ndalimi është ende në fuqi, por sot mund të shesësh dhe konsumosh chicha në qendër të qytetit.