Aktualitet

Plagosi efektivin që ndërhyri për të shuar sherrin në Himarë, prangoset 60-vjeçari!

Në Pilur të Himarës plagosi rëndë me mjet prerës, punonjësin e policisë, i cili ishte jashtë shërbimit, por ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti, pas tetë orësh ndjekje, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 60-vjeçari Theodhori Mërkuri. I lënduar mbeti një 25 vjeçar, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë. Agresori u gjet i fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur. Me të u prangos dhe një 39-vjeçar, i akuzuar për moskallëzim të krimit. Operacioni u krye nga blutë e Himarës e të Vlorës, si dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, FNSH.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Pilur, ku mbeti i plagosur rëndë me mjet prerës një punonjës policie 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, shërbimet operacionale të DVP Vlorë dhe grupe të FNSH-së, kanë organizuar punën për kapjen e autorit.

Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga 60-vjeçarin TH.M., i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, kanë arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin TH.M., për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A.P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.