Aktualitet

Politika shqiptare uron besimtarët katolikë për Pashkën!

Ndërsa besimtarët katolikë sot festojnë Pashkën, nuk mungojnë urimet e festës nga drejtuesit e shtetit e politikanë. Në një postim në Facebook, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uron që jeta e tyre të bekohet nga fryma e gëzueshme e Pashkës.

Gëzuar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë! Shpresa, dashuria dhe jeta e gëzueshme që frymë e Pashkëve përcjell bekoftë jetën tuaj!

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shkruan se “thirrja dymijëvjeçare “Paqe për ju”, nuk është vetëm një mesazh fetar dhe as vetëm kristian, por një mesazh universal e njerëzor, për paqe, dashuri, pajtim e përdëllim”.

Ringjallja e Krishtit është mesazhi i fuqisë së jetës mbi vdekjen, i rrezes së dritës mbi tunelin e errësirës, i bekimit të dashurisë mbi mallkimin e urrejtjes, i paqes mbi luftën, i ngadhënjimit mbi mungesën e shpresës. Thirrja dymijëvjeçare “Paqe për ju” nuk është vetëm një mesazh fetar dhe as vetëm kristian, por një mesazh universal dhe njerëzor, për paqe, dashuri, pajtim e përdëllim! Thirrja e Pashkëve për paqe le të përshkojë jetët tona, familjet tona, vendet tona! Gëzuar Pashkët, gjithë besimtarëve katolikë!

Në një postim në Facebook, kryeministri Edi Rama thekson se dita e Ringjalljes së Krishtit celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun.

Mirëmëngjes dhe me ditën e Ringjalljes së Krishtit, që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun, ju uroj gëzuar Pashkën Katolike!

Në ditën e Pashkës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në Katedralen e Shën Palit nga ku uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe e mirësi. Veliaj njoftoi se po përfundojnë punimet e rindërtimit të Kishës Katolike te Rruga e Kavajës.

Po mbaron kisha e re te Rruga e Kavajës. Për ne që jemi rritur në Tiranë e kemi njohur si palestër. Gjatë kohës së komunizmit, Maks Velo arriti të paktën ta mbronte Kishën, por kurrë nuk përfundoi në tërësinë e saj e më vjen mirë që edhe Këmbanorja, edhe Kisha do të jenë një bizhu për Rrugën e Kavajës.

E ndërsa afron Pashka Ortodokse, kryebashkiaku Veliaj tha se ka një lajm të mirë për besimtarët:

Ne do të hedhim themelet për Kishën e Shën Prokopit. Për shumë njerëz që nuk e dinë, në fakt liqeni nuk ka qenë siç është sot, pemët nuk kanë qenë aty. Ka qenë një kodër e zhveshur që njihej si kodra e Shën Prokopit dhe kafja ose bar-bufeja e realizmit socialist në majë të kodrës, në fakt ka qenë Kisha e Shën Prokopit. U bë një bar-bufe gjatë kohës së komunizmit, më pas u rikthye si kishë, por ende ka mbetur në atë ndërtesën e stilit të realizmit socialist, që do të shembet për të rikthyer Kishën e Shën Prokopit.

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uron të gjithë besimtarët katolikë e protestantë për festën e Pashkës.

Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ungjillorë ju uroj nga zemra, Pashkë të Bardha! Qofshi të gëzuar pranë familjeve e më të dashurve tuaj. Mesazhi i ringjalljes që kjo festë sjell, uroj të jetë ringjallje dhe e Shqipërisë sonë, në të gjitha aspektet.

Pashka është kremtimi më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit, pas kryqëzimit.