Aktualitet

Pranga anëtarit të PD-së Kurbin, qëlloi me armë në një takim të demokratëve!

Sot ra në prangat e policisë, anëtari i Partisë Demokratike të Kurbinit, Van Rica, i cili mbrëmjen e kaluar qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti në një takim të demokratëve. Dega lokale e PD-së Kurbin po zhvillonte një mbledhje e gjatë saj, pati një debat mes autorit të dyshuar, i njohur si mbështetës i një kandidati që garon për primaret, si dhe Kastriot Markut (Prenga).

Me ashpërsimin e këtij debati, Rica qëlloi me armë zjarri në drejtim të derës dhe u largua menjëherë nga mjediset e degës së subjektit politik. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka persona të plagosur, ndërsa shërbimet e policisë shoqëruan disa persona të pranishëm, për t’i marrë në pyetje.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua pistoleta e Ricës dhe materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme. Sipas uniformave blu, ai akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, arrestohet 53-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të veprimeve për konfliktin e ndodhur pasditen e djeshme, në zyrën e degës lokale të një subjekti politik, ku njëri prej anëtarëve ka qëlluar me armë zjarri, kanë vijuar kontrollet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim V. R. Si rezultat i kontrolleve, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit V. R., 53 vjeç, banues në Kurbin, punonjës i SHPSF-së. Ky shtetas, gjatë takimit për zgjedhjet primare, të zhvilluar nga dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin, pas një debati, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të derës dhe më pas është larguar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.