Showbiz

Prej 15 vitesh mendohej se ishte zëvendësuar nga një sozi, flet për herë të parë Avril Lavigne

Këngëtarja e famshme i ka dhënë fund një herë e mirë teorisë konspirative që qarkullon në rrjet prej 15 vitesh se ajo ka vdekur dhe është zëvendësuar nga një sozi.

Sipas kësaj teorie e cila i ka zanafillat në Brazil, viti 2003 ishte periudha kur Avril Lavigne nisi të evolojë si këngëtare, në pamje por edhe në mënyrën sesi ajo bënte muzikë.

Sipas ‘teoristëve’, kanadezja asokohe humbi gjyshin e saj me të cilin ishte mjaft e lidhur dhe nga depresioni ajo u vetëvra dhe pas një kohe të shkurtër hyri në lojë sozia e saj e quajtur Melissa Vandella.

Skuadra menaxheriale e Avril nuk do ta linte suksesin e këngëtares të shuhej dhe për këtë arsye si shumë personazhe të tjerë në Hollywood e zëvendësuan atë me një ‘klon’.

Prej vitesh mijëra përdorues të rrjetit social Twitter kanë analizuar çdo aspekt të këngëtares duke krahasuar fotot e saj me ato të Melissa-s, mënyrën sesi ajo këndon, tekset e këngëve dhe kalimin nga rroku në pop.

Ata gjithashtu mendojnë Melissa e zbulon identitetin e saj në disa nga këngët e albumit “Under My Skin”.

Për herë të parë e ftuar në një emision radiofonik në Australi “KISS 1065”, Avril u shpreh se është në dijeni të kësaj teorie por i duket qesharake dhe e pakuptimtë. “Disa njerëz mendojnë se unë nuk ekzistoj, më duket shumë e çuditshme” ,-tha ajo duke shtuar se arsyeja përse mori 5 vite pushim nga muzika dhe ka ndryshuar aq shumë është për shkak të sëmundjes “Lyme”.