Rajoni

Presidencialet në MV, çfarë ndodh nëse nuk arrihet pragu zgjedhor?

Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahen dy palë zgjedhje. Zhvillohet raundi i dytë i presidencialeve mes dy kandidatëve maqedonas të LSDM-së e VMRO-DPMNE/së, respektivisht presidentit aktual Stevo Pendarovski e rivales opozitare Gordana Silanovska-Davkova, si dhe zgjedhjet politike. Eshtë planifikuar që kryetarja apo kryetari i ri i shtetit të bëjë betimin më 12 maj, pra të dielën.

Por, sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), ky afat deri më 12 maj mund të respektohet vetëm kur KSHZ-ja t’i ketë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, nëse nuk ka ankesa për procesin zgjedhor.

Kandidati për president që fiton zgjedhjet duhet të bëjë një deklaratë solemne para parlamentit e sipas Kushtetutës mund të bëhet edhe para përbërjes së vjetër parlamentare. Përbërja e vjetër e ka një të drejtë të tillë duke qenë se kemi edhe zgjedhje parlamentare.

Çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet pragu zgjedhor?

Në rast se dalja në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale është më e ulët se pragu prej 40%, gjë që nuk ka ndodhur deri tani, Kushtetuta parashikon që kompetencat dhe funksionet e presidentit t’i marrë kryetari i Parlamentit.

Pa pragun zgjedhor, opsion është që të caktohet mandatari për formimin e qeverisë së re nga kryeparlamentari në largim, Jovan Mitrevski dhe opsioni i dytë është që së pari të konstituohet Parlamenti i ri dhe kryetari i ri i Parlamentit t’i japë mandatin liderit të partisë që ka fituar shumicën prej 61 deputetësh për formimin e ekzekutivit.

Pa pragun zgjedhor prej 40%, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i konsideron zgjedhjet presidenciale si të pasuksesshme dhe në afat prej 40 ditësh, Parlamenti duhet të shpallë zgjedhje të reja presidenciale.

Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së, zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka ankesa nga kandidatët dhe partitë politike. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat ligjorë për këtë rast.

Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi. Procesi zgjedhor zhvillohet në 3 mijë e 480 vendvotime ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohet nga 1 mijë e 300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.