Aktualitet

Presidenti Meta takon pasardhësin Begaj, i shpreh përsëri urime!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj. Ky takim u zhvillua në mjediset e Pallatit të Brigadave dhe në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit në largim shkruan:

Kënaqësi të prisja sot Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj dhe t’i uroja sërish suksese në detyrën e lartë, që e pret në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve!

Një ditë më parë Presidenti i zgjedhur, Bajram Begaj zhvilloi një takim me paraardhësit, Bamir Topi, Rexhep Meidani e Alfred Moisiu. Me 78 vota pro, më 4 qershor, Bajram Begaj u zgjodh nga Kuvendi si Presidenti i 8-të i Republikës së Shqipërisë. Zyrtarisht, postin e kreut të shtetit pritet ta marrë më 24 korrik, në ditën kur i mbaron mandati Presidentit aktual Ilir Meta.

Para se të propozohej për president nga Partia Socialiste, Begaj mbante detyrën e shefi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ishte Meta i cili nga Stambolli i Turqisë firmosi dekretin për lirimin nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke i hapur rrugë votimit të tij në postin e kreut të ri të shtetit. Kjo çoi në debate. Për kreun e PD-së, Sali Berisha, “dekreti i Presidentit Ilir Meta për lirimin nga detyra të Begajt, është i pavlefshëm”. Më 4 qershor, shprehej:

Në të drejtën kushtetuese europiane, presidenti humbet fuqinë e dekreteve jashtë territorit të vendit të tij. Jashtë territorit nuk ka dekret. Kjo është e drejta kushtetuese europiane. Kur je jashtë shtetit, kryetar shteti është kryetari i Parlamentit.

Por, më 5 qershor, pretendimet e kreut demokrat u hodhën poshtë nga Presidenca.

Pasi u arrit në përfundimin se, propozimi i Kryeministrit dhe dorëheqja e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm duheshin pranuar, pa vonesë dhe që Presidenti Meta të mos bëhej pengesë për ecurinë e procedurave parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri, praktika administrative dhe Dekreti i Presidentit u punuan në Tiranë, u hartuan në Tiranë, u numërtuan në Tiranë dhe i janë përcjellë Presidentit, i cili e ka shprehur vullnetin e Tij publikisht, përmes nënshkrimit të aktit.

Një kopje e dekretit të nënshkruar është administruar elektronikisht në Tiranë, në selinë e Presidentit, nga ku sipas procedurave ligjore administrative është sekretuar dhe kopje e këtij dekreti e vulosur me shkresë zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të Institucionit të Presidentit i është përcjellë zyrtarisht autoriteteve kërkuese (Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes).

Forma, përmbajtja dhe ekstremitetet e dekretit të Presidentit të Republikës nuk ndryshojnë, pavarësisht vendit nga ku është bërë publik vullneti dhe nënshkruar ky akt.

Miratimi i një dekreti Presidencial, si formë e shprehjes së vullnetit mund të bëhet kudo, por shqyrtimi i praktikës dhe hartimi i aktit, plotësimi i ekstremiteteve, numërtimit, protokollimit, sekretimit, njehsimit, etj, janë veprime administrative që kryhen në Tiranë, në selinë e Institucionit të Presidentit të Republikës nga ku kryhet sipas ligjit dhe përcjellja zyrtare e aktit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit për zbatim tek autoritetet përgjegjëse apo kërkuese.