Bota

Presidenti Xi në Moskë, gati të ndërmjetësojë përfundimin e luftës në Ukrainë!

Presidenti kinez, Xi Jinping nisi vizitën në Moskë ku pritet të shtyjë idenë që Pekini të shndërrohet në paqebërës për konfliktin në Ukrainë. Ndërkohë, homologu rus, Vladimir Putin shpreson të marrë mbështetjen e Kinës kundër presionit perëndimor.

Xi është lideri i parë i huaj që do të takohet me Putinin, pasi të premten, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arrest ndaj tij lidhur me dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi, pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt 2022.

Akuzat që sipas gjykatës përbëjnë “krime lufte”, për Moskën janë në mesin e një numri të “armiqësive të qarta të shfaqura”. Pekini tha se “shfaqin standarde të dyfishta”.

Vizitën e Xi-së, Rusia po e paraqet si dëshmi të faktit se ka një mik të fuqishëm, i gatshëm të qëndrojë kundër një Perëndimi armiqësor, të cilin e akuzon se po përpiqet ta izolojë dhe mposhtë shtetin rus. Në një artikull të publikuar në gazetën kineze, People’s Daily e në faqen online të Kremlinit, Putin nënvizon:

Ne mund të ndjemë se peizazhi gjeopolitik në botën e jashtme po pëson ndryshime drastike. Kam shpresa të mëdha nga vizita e mikut të mirë e të vjetër.

Vizita vjen pak kohë pasi Kina paraqiti një propozim me 12 pika për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, por edhe teksa Pekini po forcon lidhjet me Moskën. Vazhdimisht, Pekini hedh poshtë akuzat e Perëndimit se po planifikon të armatosë Rusinë, por dëshiron të ketë partneritet më të ngushtë në fushën e energjisë.

Gjithashtu ka rritur importet e qymyrit rus, gazit e të naftës, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Sanksionet perëndimore ndaj energjisë ruse nënkuptojnë se Pekini mund të kursejë miliarda dollarë. Axhenda e sotme përfshin bisedime joformale Jinping-Putin dhe më pas, dy liderët do të darkojnë.

Bisedimet zyrtare pritet të zhvillohen nesër. Kina nuk e dënoi Rusinë për pushtimin e Ukrainës e paraqiti një plan për një armëpushim në Ukrainë.

Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë thonë se çdo marrëveshje armëpushimi do të ndihmonte më shumë Putinin, duke i dhënë kohë që të riforcojë radhët para ofensivës së Ukrainës, të planifikuar për në pranverë.

Presidenti Zelensky ka bërë të ditur se do të shqyrtojë një marrëveshje paqeje, vetëm nëse trupat ruse largohen nga territori i Ukrainës.