Aktualitet

Presioni për punonjës, turizmi rriti pagën mesatare për efekt kontributesh me 23%!

Nevoja për punonjës nga ata më pak të kualifikuar deri te ata me kualifikim të lartë për sektorin e turizmit e ka vendosur këtë të fundit në një presion të vazhdueshëm për të rishikuar pagat. Vetëm vitin e shkuar, paga mesatare për efekt kontributesh në sektorin e turizmit është rritur me 23%. Të paktën kështu rezulton nga një analizë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për shifrat e 2023-it.

I njëjti raport analizon edhe efektin që ka pasur rekordi turistik i vendit ku vihet re rritje e numrit të subjekteve në raport me 2022-in, më shumë të punësuar si dhe rritje e Tatimit mbi të Ardhurat Personale. Në raport thuhet:

Referuar xhiros nga fiskalizimi për të gjithë NIPT-et e popullatës se turizmit, për muajin Gusht 2023 kanë rezultuar me rritje të xhiros me 7%. Ndërsa për tatimpaguesit që rezultojnë në të dy vitet rrija e xhiros është rreth 6%. Nga krahasimi i listë pagesave të periudhës 2023 – 2022 si listë pagesa e fundit totale për popullatën e tatimpaguesve të sektorit turistik rezultojnë këto të dhëna: – Rritje në numrin e tatimpaguesve me +12% krahasuar me të njëjtën periudhe një vit m parë dhe nje rritje me vetem +2% të numrit të punonjësve; – Rritja në pagën mesatare për kontribute është +23%; – Rritje e TAP me + 33%.

Sipas raportit, që në fillim të vitit, Tatimet kishin një plan për turizmin në bazë të analizës së riskut. Në bazë të saj ishin elementë si: turizëm pa fatura për periudhë 1 javore 50, rënie Xhiro krahasim mujor, më pak se 7 punonjës pa përgjegjësi TVSH-je, subjekte përgjegjësi tatimore, por me rënie qarkullimi nga java në javë më shumë se me 10%, si dhe një sërë elementësh të ngjashëm.

Teksa në njërën anë si emergjencë për sektorin e turizmit edhe këtë vit është nevoja për punonjës kur flukset e vizitorëve pritet të rriten në anën tjetër qeveria ka deklaruar se do të ketë një qasje më të ashpër ndaj informalitetit dhe evazionit.

Vetë kreu i qeverisë Rama në disa dalje publike ka nënvizuar se net qëndrimet në struktura nuk përputhen me zhvillimet në sektor ku numri i hyrjeve në fund të dhjetorit 2023 ishte 10.15 milion turistë duke nënkuptuar se ka nëndeklarim./Monitor