Rajoni

Prishtina, thirrje qytetarëve të Kosovës: Shmangni kalimin nëpër Serbi!

Qytetarëve që janë duke udhëtuar, autoritetet në Kosovë iu kanë bërë thirrje që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër territorin e Serbisë. Sipas ministrive të Punëve të Jashtme e Diasporës, si dhe Punëve të Brendshme, kjo thirrje bëhet “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndalimit arbitrar të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.

Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë e të mos udhëtojnë përmes Serbisë, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.

MPJD theksoi:

Pak orë pasi më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës u mbështet anëtarësimi i Kosovës, institucionet janë njoftuar se në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë në Batrovci, autobusët e Kosovës, që po kalonin transit, janë ndaluar nga autoritetet kufitare serbe.

Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë [që lidh Kosovën me Serbinë] dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

Udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

Më herët, sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli njoftoi në Facebook se në Batrovci janë ndaluar të paktën katër autobusë, me mbi 300 udhëtarë nga Kosova.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës iu është drejtuar shteteve të QUINT-it: Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, institucioneve të Bashkimit Europian dhe instancave të tjera ndërkombëtare për këtë çështje.

Presim që kjo situatë të përfundojë shpejt. Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç paralajmëroi se kush shkel rendin kushtetues të Republikës së Serbisë “do të arrestohet dhe ndiqet penalisht”. Ai i bëri këto deklarata teksa foli për arrestimin e Sreqko Sofronijeviçit nga autoritetet në Kosovë.

Të gjithë ju që shkelni rendin kushtetues të Serbisë, të gjithë ju që merrni pjesë, përmes protestave, demonstratave e në çdo mënyrë, ju do të jeni përgjegjës!

Në Asamblenë Parlamentare, dje u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që mblidhet në maj e që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç theksoi se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat”, që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës, më 16 maj.

Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.