Fashion

Pse Wisdom Kaye është mashkulli i veshur më mirë në Tik Tok?

Wisdom Kaye sot është një model dhe një influencer, i cili ka gjithashtu një Tik Tok shumë të suksesshëm ku mrekullon 6 milionë ndjekësit e tij. Por duket se këtë gjë ai nuk e kishte menduar më parë teksa shprehet rreth asaj që kujton teksa ishte më i ri në moshë.

Unë thjesht kurrë nuk ekspozohesha.

Vitin e kaluar Wisdom Kaye u përgëzua nga “US Vogue”, e cila e quajti atë “Burrin e veshur më mirë në Tik Tok”, ndërkohë që marka prestigjioze të tilla si “Valentino” dhe “Dior” i dërgojnë atij veshjet e tyre më të fundit. Duket se ai po korr një sukses të padiskutueshëm në fushën e modës, teksa 20-vjeçari nuk nguron të provojë asgjë, deri te këpucët e larta.

Edhe pse nuk i pëlqente të ekspozohej, duket se shenjat e para ishin shfaqur që më herët, teksa Wisdom Kaye zbulon se gjatë shkollës së mesme ai kujton çaste kur kërkonte veshje të ndryshme dhe i kombinonte ato. Ai gjente veshje të shumëllojshme e i përshtaste me aksesorët e këpucët.

Kur kthej kohën pas, unë kisha prirjen të vishja gjëra të caktuara në mënyra të caktuara. Nuk ishte diçka novatore, por aty ku jetoja mund të them se binte në sy.

Kaye e mori atë nocion, e zmadhoi dhe e ktheu në një markë të plotë. Ai e siguron jetesën vetëm duke u shfaqur të tjerëve se i pëlqen të bie në sy, e si ta bëjnë dhe ata këtë gjë. Fama e tij nxjerr në pah kohët në të cilat ne po jetojmë, ku një adoleshent i veshur bukur, me një sjellje të mirë dhe një smartphone në dorë, mund të ketë po aq fuqi sa një redaktor revistash apo një figurë publike.

Gjithashtu, ai ndikon mjaft pozitivisht edhe te të rinjtë, dukeqenë se ky brez i digjitalizuar që e konsideron Tik Tok-un një formë më të shpejtë dhe më të konsumueshme se televizori, influencohet në apsektin pozitiv nga Kaye. Ai ka një shumëllojshmëri stilesh të veshurit, teksa nis me formulat klasike, dhe vazhdon me gjëra më novatore, ide plot risi e gjëra të shtrenjta që mund të kushtojnë sa një makinë.

Një tjetër e veçantë e Kaye, jo vetëm si pasojë e tij por edhe duke u ndikuar nga Tik Tok-u si aplikacion, është ndërveprimi i tij me ndjekësit, e madje ndonjëherë sugjerimet e tyre lidhur me veshjet. Ndryshe nga revistat apo gjithçka tjetër, në këtë aplikacion shpeshherë janë ndjekësit ata që propozojnë Kaye se çfarë të veshë apo si t’i kombinojë veshjet e tij.

Nëse mendoni se Kaye e bën këtë gjë prej shumë kohësh, gaboheni. Ai e nisi vetëm pak kohë më parë, gjatë janarit të vitit 2020. Kaye bëri postimin e tij të parë që lidhej me 10 veshje. Më pas, verën e kaluar dëgjoi rreth Tik-Tok-ut, por nuk mendoi se do të përshtatej shumë. Mirëpo, shumë shpejt e kuptoi që ky aplikacion do ta ndihmonte dhe do t’i jepte mundësinë të shpaloste atë që bënte.

Kujtojmë, se për shkak të pandemisë, sfilatat e modës u anuluan, por Kaye ia doli të merret me botën e modës në mënyrën e tij. Postimet e tij janë frymëzuese dhe shumë sfiduese. Ato bëjnë një lidhje mes fushës së modës dhe të argëtimit, ndoshta një kombinim që industria e modës do të duhet ta konsiderojë. Kaye ndërkohë, përcjell një mesazh, teksa nuk i transmeton idetë e modës si një redaktor por thjesht përpiqet të frymëzojë këdo të ndjekë hapat e tij unikë dhe të ketë stilin personal që do ta veçojë nga të tjerët. Ndërkohë, veshjet e tij të fundit janë frymëzuar nga filmi “Tron: Legacy”. Një film që 20-vjeçari e ka pëlqyer së tepërmi dhe e ka inspiruar edhe në veshje.

Unë kujtoj kohën kur pashë filmin, teksa u fiksova me estetikën e gjithçkaje. Aspektet e së ardhmes, kolona zanore, gjithçka ishte e lezetshme dhe pati një ndikim te unë.

Një tjetër detaj i veshjeve të Kaye, lidhet me faktin se ai kombinon një stil të lehtë me një dinamikë të papërshkrueshme. Seanca e tij e fundit e stilimit, nisi në 10.30 dhe zgjati disa orë dhe ai u shpreh lidhur me të, teksa përshkroi dhe procedurën që ndoqi.

Kur marr një veshje të re unë provoj literalisht çdo kombinim të mundshëm. Ti kurrë nuk e di se çfarë dhe kur do të të duhet veshja për një video ndaj dhe unë përgatis paraprakisht çfarëdo lloj kombinimi që duket mirë.

Duket se Kaye ka gjetur një mënyrë të zgjuar të fitojë para, madje duke e kombinuar punën me një pasion të tijin. Ai nuk ndalen dhe gjithnjë provon gjëra të reja pa iu trembur faktit se si ato do të duken. Ndoshta pikërisht ky është çelësi i tij i suksesit, derisa ka arritur të punojë më marka prestigjioze në fushën e modës të tilla si “Dior” apo “American Eagle”.

Një i ri i patrembur, me shumë ide inteligjente, kreativ dhe frymëzues, që me siguri së shpejti do të kalojë përtej aplikacionit të Tik Tok-ut. Duket se situata e pandemisë do të qetësohet, dhe padiskutim Kaye do të ketë vendin e tij në sfilatat më të mëdha botërore.