Aktualitet

Qeveria miraton amendimin për “Zhurmat në Mjedis”/ Ministrja Kumbaro: Policia kontrolle të rrepta!

Qeveria miratoi amendimin për Ligjin e Zhurmave në Mjedis. Pas miratimit në Kuvend, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro paralajmëroi se do të ketë kontrolle të rrepta e kompetenca të zgjeruara të Policisë së Shtetit. Kumbaro sqaroi se bashkitë do të hartëzojnë territorin ku do të përcaktojnë zonat e banuara, të qeta dhe ato larg banimeve ku lejohen aktivitetet me muzikë.

Me ligjin e ri do të ketë një ndarje të kompetencave mes Policisë Bashkiake. Sipas Kumbaros, në përputhje me hartëzimin e Bashkisë, Policia e Shtetit do të marrë kompetencat për të matur, monitoruar, kontrolluar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë normat. Kontrollet do të bëhen me mjete të certifikuara e të akredituara.

Miratuam amendimin për Ligjin e Zhurmave në mjedis. Punë 10-vjeçare dhe rezultat i vëzhgimit të sezonit të kaluar turistik. Një nga shqetësimet e mëdha të bizneseve, operatorëve e pushuesve ishte ndotja akustike në nivele të larta për shkak të muzikës së shpërndarë në lokale, bare e hotele.

I dhamë zgjidhje një problemi të akumuluar ndër vite, duke bërë amendimin në ligjin “Për zhurmat”. Duke filluar nga ky sezon, me miratimin e ligjit në Parlament, shpresojmë se në javët në vijim do të kemi një kontroll të rreptë të ligjit, fasha orare më të kontrolluara e një kompetencë të zgjeruar të Policisë së Shtetit sa i përket kontrollit me mjete të certifikuara e standarde të OBSH-së, për të kontrolluar ndotjen akustike. Po ashtu për të kontrolluar oraret, por dhe me një detyrë të shtuar për bashkitë që me hyrjen në fuqi të këtij ligji kanë të drejtë të përcaktojnë hartën e zhurmave ose hartëzimin e territorit për të përcaktuar zonat e banuara, zonat e qeta, zonat larg banesave apo hoteleve familjare ku mund të zhvillohen aktivitetet me muzikë në liri nga banorët.

Do të ketë një ndarje të qartë të kompetencave mes Policisë Bashkiake që do të kontrollojë, por tashmë do të pajiset me mjete certifikuese të akredituara dhe për llojet e tjera të zhurmave në territore të ndryshme të bashkive. Duke i dhënë fund atij topit që hidhej sa te bashkia, policia, shëndetësia, tashmë institucionet i kanë rolet e qarta.

Fashat orare për sezonin e verës për aktivitetet muzikore të përditshme do të jenë nga ora 12:00 e drekës deri në orën 00:00 në mesnatë.