Aktualitet

Rama në takimin e OBT-së: Turizmi shqiptar një sukses!

Kryeministri Edi Rama e cilësoi ngjarje historike zhvillimin në Tiranë të takimit të 70-të të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit. Rama u shpreh se ai vjen në kohën e duhur në vendin tonë, kur impakti i turizmit po transformon në mënyrë të pabesueshme ekonominë dhe përfaqësimin e Shqipërisë në botë.

Shpresojmë shumë që me anën e turizmit, ne të kuptojmë akoma dhe më shumë, jo vetëm për rëndësinë që ka turizmi për ekonominë, por edhe për  ndjesinë e vetëidentifikimit.

Për të treguar hapat që ka hedhur Shqipëria në drejtim të zhvillimit të turizmit, kryeministri Rama solli në vëmendje situatën e izolimit që përjetonte vendi gjatë diktaturës komuniste.

Ne kemi njohur një periudhë të historisë në të cilën kemi qenë tërësisht të ndarë, të veçuar e izoluar nga të gjithë. Çdo gjë është përtej imagjinatës të izolimit dhe brutalitetit që kemi hasur në këtë vend deri para 30 vitesh. Ne kemi pasur 5 mijë turistë në atë kohë dhe ata jo të zakonshëm por marksistë-leninistë.  Sot kemi një realitet tërësisht tjetër, me më shumë se 10 milion turistë që kaluan në Shqipëri vitin e kaluar dhe me shifra shumë të larta gjatë muajve të parë të vitit.

Kryeministri theksoi se përveç suksesit në këtë drejtim ka edhe shumë sfida me të cilat, siç u shpreh ai “duhet të përballemi dhe t’i zgjidhim në rast se dëshirojmë që Shqipëria të ecë para në mënyrë të qëndrueshme dhe të jetë një destinacion ku turizmi të jetë një vlerë e shtuar”.

Ne duhet të ruajmë natyrën, duhet të ndërtojmë gjëra me arkitekturë të bukur dhe t’i gërshetojmë të dyja, nga njëra anë të krijojmë mundësitë e duhura që njerëzit të marrin më shumë nga puna e tyre, por të lënë më shumë nga Shqipëria për brezat e ardhshëm ndërkohë që ndërtojmë një destinacion të rëndësishëm turistik.

Kryeministri vlerësoi rolin e OBT-së në ndarjen e ekspertizës dhe njohurive mes vendeve, që të mos përsëriten më gabimet e të shkuarës në drejtim të zhvillimit të turizmit.

Ju i keni përjetuar vetë këto gjëra. Keni kaluar këto faza zhvillimi dhe keni mësuar shumë nga gabimet tuaja. Ne nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime por duhet të nxjerrin mësime ndaj e vlerësojmë kaq fort OBT-në. Shpresojmë fort që ne do të mësojmë nga gabimet tuaja, ndërsa tashmë i kemi bërë disa gabime tonat prej të cilave kemi nxjerrë mësime.

Rama theksoi se Shqipëria trashëgon një potencial të madh pasi Zoti dhe historia janë treguar bujare dhe na kanë lënë trashëgim disa vende nga antikiteti.

Ne nuk jemi Zvicra por duhet të kemi të njëjtën mënyrë si ata për të kuptuar se çfarë do t’i lëmë brezave të ardhshëm që mos të prishin bukuritë natyrore.

Kryeqyteti priti sot takimin e  70-të të Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit, i cili përzgjodhi Shqipërinë në një bashkëorganizim, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të UNWTO, Zurab Pololikashvili dhe të delegacioneve nga e gjithë Europa.