Aktualitet

Rama për zgjedhjen e presidentit: Jo negociata me Berishën, nëse nuk ka emra nga opozita do ta zgjedhim vetë!!

Kryeministri Edi Rama ka folur pas seancës së sotme plenare, raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. I pyetur nëse PS ka emër për ta propozuar në raundin e dytë dhe të tretë, Rama u përgjigj shkurt.

“Dihet që ne nuk i kemi 84 votat e nevojshme. Jo (nuk ka emër për President)”, tha Rama.

“T’ia kalojë këtë të drejtë kujt? Kujt ekzaktësisht se ne nuk po dimë më as kë kemi në anën tjetër, se kemi lloj-lloj copash dhe çikash. Nuk e shoh dot ku qëndron logjika në këtë, ne kemi kaluar 2 herë në këtë proces kur kemi qenë në opozitë në drejtimin tim. Një herë kur ne kishim numra të mjaftueshëm për të bllokuar 84-ën, por një herë kur ne nuk kishim numrat. Pra, PD kishte numrat për të zgjedhur Presidentin dhe ne kemi kaluar në këtë proces, jemi ulur në tryezë”

Kryeministri Edi Rama e ka të qartë se PS nuk do të negociojë me Sali Berishën për procesin e zgjedhjes së presidentit. Nëse nuk do të ketë asnjë propozim nga opozita, Rama thotë  se nuk iu mbetet gjë tjetër përveçse të presin dhe ta votojnë presidentin në raundin e katërt me votat e mazhorancës.

S’kemi, megjithatë presim, nuk i ndajmë ne se kush është kush, dihet se kë ne refuzojmë ta marrim në konsideratë. Jemi të gatshëm të flasim me çdo palë pjesë që do donte të fliste me ne, nëse nuk duan të flasin nuk kemi mundësi tjetër përveçse të presim dhe kur të futemi në raundin e katërt për përdorim mandatin që na jep kushtetuta për të zgjedhur presidentin. Është një proces që mund të ishte më i kulturuar më i edukuar, më i harmonizuar në aspektin e ballafaqimit të shkëmbimeve të idesë, për më tepër një një kohë si sot kjo kur ne nuk kemi nevojë të shpikim hendeqe ekstra se boll janë ato që janë të trashëguara.

Kushtetuta parashikon që presidenti i ri në raundin e katërt zgjidhet me shumicë të thjeshtë, pra me 71 vota, të cilat maxhoranca i posedon.