Aktualitet Politikë

Rama: Porto Romano pjesë e planeve të NATO-s së shpejti. Begaj: Aletatët dëshmuan vlerësim për Shqipërinë!

Nga ceremonia e përurimit të bazës ajrore në Kuçovë, kryeministri Edi Rama premtoi se Shqipëria do të forcojë më tej kapacitetet e saj mbrojtëse, pas 2 helikopterëve dhe 3 dronëve të blerë së fundmi.

Hapjen e bazës së re të aleancës, kreu i qeverisë e cilësoi si një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, i cili nuk mbetet i parrezikuar nga kërcënimet ruse.

“Jetojmë në një epokë tjetër dhe Shqipëria ndodhet në anën tjetër duke mirëpritur me krenari aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë e cila është në radhë të parë një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes. Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohësh arriti të përfundojë, dhe sot me ne janë plot miq e partnerë që do të doja t’i falënderoja në mënyrë të posaçme. Kjo bazë është e transformuar dhe e gatshme me një rëndësi që i kalon kufijtë e Shqipërisë.

Është një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, i cili është një rajon, jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet e Federatës Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti, pjesë e ripërtëritjes së flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj dhe dronët janë pjesë e një rritje që do të vazhdojë. Falënderoj të gjithë banorët e zonës për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit të kësaj baze”, tha Rama.

Në fjalën e tij në inaugurimin e bazës së Kuçovës, Presidenti Bajram Begaj, u shpreh se “nga kjo bazë, ne dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe tregojmë se NATO është e vendosur për të garantuar sigurinë e anëtarëve të saj”.

Ndërkohë, ai theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në paqen e rajonit, për të cilin u shpreh se ka një siguri të brishtë dhe këtë e dëshmoi sulmi në Banjskë.

“Rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë e të gjithë rajonit tonë.

Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes. 

Nga kjo bazë, ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes  dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive.

I shpreh mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë në NATO, veçanërisht partnerit tonë strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.

Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë.

Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt.

Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku.

Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën.

Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës.

Për Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, një investim strategjik në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur ndër vite”, tha Begaj.