Aktualitet

Rama sërish thirrje grave naftëtare: “Ndalni grevën, nuk ka negociata me presione”

Kryeministri Rama reagon sërish për grevën e Ballshit ku gratë naftëtare janë ngujuar prej 9 ditësh për të kërkuar pagat e rifillimin e punës në Uzinë.

“Unë jo vetëm nuk po hesht por po përsëris çdo ditë: Ndalni grevën dhe ulemi diskutojmë për hallin tuaj! Nuk ka negociata me presione e me ultimatume në një familje, po ka qarje halli me logjikë e me zemër të hapur! E thjeshtë: “Dilni nga greva dhe do vij unë vetë tek ju menjëherë”, – shkruan Rama në rrjetet sociale.

Por grevistet refuzojnë ndërprerjen e grevës dhe rikujtojnë situatën e vështirë ekonomike ku ndodhen. Ndërkohë gjendja e grave naftëtare në ditën e nëntë të grevës së urisë vazhdon të përkeqësohet.

Ato i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama që të mos heshtë, por t’u japë një zgjidhje. “Do t’i qëndrojmë deri në fund kërkesave tona. Kemi fituar gjyqin për pagat pse nuk zbathjet ligji? Kërkojmë rrogat dhe rifillimin e punës. Kërkojmë një përgjigje nga qeveria. I bëjmë thirrje Ramës që të japë një zgjidhje, mos të heshtë më. Rama të nisë një grup negociator”, –u shprehën gratë greviste.