Aktualitet

Raporti për Kosovën: Pavarësia është e pakthyeshme!

Me 50 vota pro, 10 kundër dhe 9 abstenime, Komisioni për Politikën e Jashtme i Parlamentit Europian miratoi raportin për Kosovën ku theksohet se “Pavarësia është e pakthyeshme”. Në këtë dokument të përgatitur nga eurodeputetja e gjelbër gjermane, Viola Von-Cramon-Taubadel sërish i bëhet thirrje 5 vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën shtet, ta bëjnë këtë.

Apeli iu drejtohet Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Qipros e Greqisë. Po ashtu PE-ja kërkon të liberalizohen vizat për Kosovën. Ndër të tjera, në raport thuhet se “njohja nga të gjitha shtetet e Unionit i shërben normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd”.

Ndërkohë në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane. Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jostabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Po ashtu, kërkohet që Kosova të sigurojë reformën e sistemit gjyqësor në mënyrë që ai të jetë më transparent, efikas dhe pa ndërhyrje politike. Në të njëjtën mënyrë, kërkohet edhe reforma e administratës publike.