Aktualitet

Regjistrimi i “Shtëpisë së Lirisë”, nuk kalon ankesa e PD-së!

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS vendosi sot mos kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr.2 të Partisë Demokratike, për shfuqizimin vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, për regjistrimin në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit, të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Lokalet e pas një muaji mbahen për bashkitë Durrës, Shkodër, Vorë, Lushnjë, Rrogozhinë e Dibër.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton:

KAS-i shqyrtoi sot elementët  e formës dhe të përmbajtjes së kërkesës ankimore nr.2. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi mos kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore.

Partia Demokratike ankimoi të shtunën regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku përfshihen zyrtarisht Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane e Shqipërisë. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi vendosi në mbledhjen e së premtes që ky koalicion të regjistrohej, por në të, nuk u njoh Komisioni i Rithemelimit të PD-së i Sali Berishës, pasi nuk rezulton i regjistruar si parti.

Partia Demokratike dorëzoi të shtunën ankimimin në KAS ku kërkoi shfuqizimin e vendimit të 4 shkurtit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Sipas përfaqësuesit të PD-së që depozitoi kërkesën ankimore, Marash Logu, “Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokristiane dhe Komisioni i Rithemelimit të PD-së nuk ishin regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore, kur bënë kërkesën për koalicion”.
Komisioni i Rithemelimit të PD-së, përveç se nuk është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si subjekt zgjedhor, nuk rezulton të ekzistojë si parti politike.

Edhe pse Komisioni i Rithemelimit i Berishës u përjashtua nga KQZ-ja si pjesë e koalicionit “Shtëpia e lirisë”, vendimi nuk kënaqi Partinë Demokratike. Sipas Selisë Blu, “marrëveshjes i mungon elementi që ka të bëjë me përcaktimin e numrit të kandidatëve nga secila parti politike”.

Në kushtet kur Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit është përjashtuar nga marrëveshja, mbetet e paqartë se cila parti do të propozojë kandidatët e koalicionit.