Aktualitet

Rialokimet e buxhetit rrisin me 120 milion euro fondin për investimet kapitale!

Me ndryshimet e fundit në Buxhetin 2023, qeveria ka rritur me 120 milion euro, afërisht 10% fondin e shpenzimeve kapitale në krahasimin me fillimin e vitit.

Fondi i rishikuar i investimeve arrin në 136,6 miliardë lekë  (1,3 miliardë euro) nga 123,9  miliardë lekë (1,2 miliardë euro) që ishte në buxhetin fillestar. E gjithë shuma shtesë shkon për fondin e Rindërtimit.

Me ndryshimet e reja, fondi për Rindërtimin arrin në 17 miliardë lekë, nga 5 miliardë që ishte në fillim të vitit. Brenda zërit të shpenzimeve kapitale, mbështetja për energjinë mbetet 2 miliardë lekë njësoj si në buxhetin fillestar.

Ndryshimet e fundit, bënë zero një fond kontigjence për energjinë në vlerën 12 miliardë lekë e që ishte programuar në buxhetin fillestar. Situata e mirë hidrike e 6 muajve të parë të vitit, e ka kthyer KESH-in në eksportues të energjisë. Teksa rezerva hidrike është në pakësim, nëse krijohen situata të emergjencës do të përballohen me fonde që pritet të përcaktohen në buxhetin e vitit 2024.

Investimet kapitale në vlerë 1,3 miliardë euro shënojnë rekord historik. Vlera e përcaktuar është 58% më e lartë se e vitit të kaluar.

Zakonisht, ndryshimet në buxhet rialokohen në zëra shpenzimesh që kanë realizim më të mirë teksa shkurtohen fondet në programet që nuk realizohen. Por, pavarësisht se në zërin e investimeve kapitale në 9 mujorin e 2023-shit plani mbetet i parealizuar me 29%, qeveria rriti më tej financimet për këtë zë ndonëse viti buxhetor mbyllet për dy muaj.

Qeveria e ka bërë traditë që në dhjetor të shpenzojë gati gjysmën e programit vjetor të investimeve publike, duke cënuar efektivitetin e zërit më produktiv që ka buxheti për ndikimin në ekonomi, duke rrënuar moralin e përdorimit të taksave të rregulluar me ligj organik, udhëzime e urdhra.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se vitin e kaluar, fondet për investimet kapitale u realizuan në 112 miliardë lekë, nga të cilat 49 miliardë u disbursuan gjatë muajit dhjetor.

Nga një vëzhgim i pagesave ditore të Thesarit në Ministrinë e Financave, u pa se gjatë dhjetorit, pagesat ditore nga Thesari u dhjetëfishuan. Përfituesit më të mëdhenj ishin kompanitë e ndërtimit me kontrata me qeverinë, kryesisht në rrugë, ujësjellës e mirëmbajtje.

Në vitin 2020, gati 25% e Fondit të Investimeve Publike u perqëndrua në dhjetor. Në vitin 2021, rreth 42% e fondit vjetor të investimeve publike u dha në dhjetor, ndërsa në vitin 2022, rreth 44% e fondeve u alokua në dhjetor. Edhe ky vit nuk do të bëjë përjashtim./Monitor