Bota

Rindërtimi i Gazës, fond 95 milionë dollarë!

Fond 95 milionë dollarë për rindërtimin e Gazës! Propozimi vjen nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, i mbledhur në Nju Jork që diskutoi mënyrat për t’i bërë ballë armëpushimit të brishtë mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.

Koordinatori Special i OKB-së për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland:

Ngjarjet e fundit, që kanë ndodhur na kanë treguar edhe një herë koston e konfliktit shumëvjeçar! Kjo është mungesa e dritës në fund të tunelit, që vret shpresën dhe ofron një hapësirë për ata që nuk janë të interesuar për të arritur një paqe afatgjatë.

Nga luftimet 11 ditore për shkak të raketave të Hamasit e sulmeve ajrore izraelite, 250 palestinezë u vranë, mes tyre 66 fëmijë ndërsa në Izrael humbën jetën 13 persona, dy prej të cilëve fëmijë.

Sipas të dhënave nga OKB-ja, në Gaza të paktën 57 shkolla, 9 spitale dhe 19 qendra të shëndetit primar janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht. Sistemi shëndetësor është përballur me peshën e pandemisë.

Fondi prej 95 milionë dollarësh synon të ndihmojë një milionë persona në tre muajt e ardhshëm sa i përket shërbimeve shëndetësore, arsimit dhe sigurisë ushqimore.