Aktualitet Politikë

Rinis seanca plenare/Demokratët refuzojnë interpelancën me Spiropalin në vend të Ramës për McGonigal!

Ashtu si e 26 janarit, edhe seanca e sotme plenare pati tensione teksa Berisha, Noka, Spaho, Paloka e Këlliçi nuk ishin në sallë si të përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi. Foltorja u bllokua nga opozita, e cila nuk pranoi ministren Elisa Spiropali si e deleguara e shefit të qeverisë Edi Rama për t’u përgjigjur në interpelancën e thirrur prej demokratëve në lidhje me çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së nën hetim në Amerikë.

Deputeti Gazment Bardhi vuri në dukje se në kërkesën e para pak ditëve thirrën në interpelancë Ramën si kryeministër dhe se pyetjeve të tyre nuk mund t’i përgjigjet Spiropali. Ai iu drejtua kryeparlamentares Nikolla:

Si kryeministër i Republikës së Shqipërisë nuk mund të fshihet pas Elisës. Duhet të vijë këtu dhe të japë llogari për mënyrën si ka korruptuar një zyrtar të lartë të FBI-së, për ta përdorur si vegël në duart e tij, kundër opozitës. Duke qenë se sipas rregullores, interpelanca është pika e parë e seancës, pezullo seancën dhe thirre kryeministin të vijë këtu e të japë llogari. Ju duhet të silleni si kryetare e Kuvendit, thirr kryeministrin në seancë, boll u fsheh! Nuk pranoj të bëj interpelancë me hijen e kryeministrit, nuk di të ketë qenë Spiropali në takim me McGonigal. Elisa nuk ka lidhje me këtë çështje.

Ministrja Spiropali reagoi duke i konsideruar “qesharake” akuzat e opozitës dhe konkluzionet e nxjerra nga një hetim i kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk e kuptoj se pse keni kaq shumë frikë. A doni sqarime për çështjen? Nguti juaj i dëshpëruar për të nxjerrë konkluzione nga një hetim në SHBA është qesharak. Keni dy javë që grricni nervat e miletit dhe nuk na lejoni sot të japim sqarime për këtë çështje.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vendosi të ndërpresë 10 minuta seancën plenare e që tashmë ka rinisur. Një pjesë e deputetëve të opozitës janë sërish në foltore.