Bota

Rrëmbehen misionarët amerikanë në Haiti!

Të paktën 15 misionarë amerikanë u rrëmbyen në Haiti nga një bandë kriminale në periferinë lindore të Port-au-Prince. Sipas burimeve vendase të sigurisë, mes të rrëmbyerve ka edhe fëmijë. Gjithçka ndodhi kur po zbrisnin nga një autobus, pas vizitës në një jetimore.  Tashmë, ata janë në duart e grupit të armatosur që organizon grabitje e pengmarrje në zonën mes kryeqytetit të Haitit e kufirit me Republikën Domenikane. Ende nuk bëhet e ditur nëse janë kërkuar para’ për lirimin e amerikanëve që mund të jenë nga 15 në 17 vetë.

Prej vitesh, bandat e armatosura kontrollojnë zonat më të varfra të kryeqytetit të Haitit që është mes vendeve me nivelin më të lartë në botë sa i përket rrëmbimeve. Bandat e fuqishme shfrytëzojnë situatën e brishtë të funksionimit të ligjit për të fituar para’ nga shpërblimet kundrejt lirimit të pengjeve.

Nga vrasja e presidentit, Jovenel Moise në korrik, fraksionet rivale janë përpjekur të marrin kontrollin dhe mungesa e sigurisë është rritur. Misionarët e krishterë u kapën menjëherë pasi u larguan nga një qytet dhe vazhdojnë të mbahen nga bandat, sipas një burimi të sigurisë të cituar nga agjencia e lajmeve AFP.

Ministria e Drejtësisë e Haitit dhe Policia Kombëtare nuk kanë komentuar. Qeveria amerikane ende nuk ka dhënë ndonjë informacion për ngjarjen, por Departamenti i Shtetit i tha AFP-së se ishte njohur me raportimet dhe shtoi se siguria e qytetarëve amerikanë jashtë vendit është një nga përparësitë kryesore.