Aktualitet Sociale

Rrëshqitje dheu në Kalanë e Gjirokastrës, bllokohen automjetet në një nga segmentet

Një pjesë e segmentit që të çon për në kalanë e Gjirokastrës ka pësuar rrëshqitje.

Kështu është bllokuar edhe qarkullimi i automjeteve. Momentalisht emergjencat civile, Bashkia Gjirokastër dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë janë në terren.

Rruga ka qenë dhe është problematike për gjatë gjithë perimetrit të kalasë. Një problematikë e mbartur ndër vite, aktualisht në segmentin që shikon zonën muzeale është ndaluar qarkullimi.

Nga ana e bashkisë janë marrë të gjitha masat, si për pjesën e bllokimit të qarkullimit, deri në zgjidhjen e problematikës.

Kalaja e Gjirokastrës ka një sërë pikash atraktive, të cilat do të mund të vizitohen, dhe për të cilat duhen orë të tëra. Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Me të hyrë brenda, janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.

Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.

Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj. Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos.