Rajoni

Rriten frikshëm infektimet nga Covid-19 në Kosovë/ 1 i vdekur në 24 orët e fundit

Një person ka vdekur dhe 221 raste me COVID-19 janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë testuar 3160 mostra.

Ndërkohë janë shëruar 21 persona.

“Në 24 orët e fundit janë dhënë 14.616 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 460.297 doza të vaksinës. Deri më sot 162.807 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Në total numri i rasteve aktive është 888”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në klinikat COVID në QKUK e spitalet e përgjithshme në Kosovë janë duke u trajtuar 107 pacientë, prej të cilëve 72 janë me oksigjenoterapi dhe dy janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

70 prej pacientëve ndodhen në klinikën COVID të QKUK në Prishtinë dhe 37 në spitalet rajonale. Në Spitalin e Prizrenit janë 5 pacientë, në atë të Gjakovës 9 pacientë, të Pejës 13 pacientë, të Gjilanit 8 pacientë e të Mitrovicës dy pacientë.