Aktualitet Politikë

Rritja e çmimeve, Berisha me dy kërkesa!

Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha sot se “turizmi është në një krizë të rëndë për shkak të çmimeve”. Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se “së pari, kjo ndodh për shkak të çmimeve stratosferike, të krijuara në mënyrën më artificiale nga bordet e Edi Ramës”.

Për shkak të përdorimit të të ardhurave buxhetore nga Edi Rama dhe qeveria e tij në funksion të vjedhjes dhe shpërdorimit të tyre masiv, siç është rasti i disbursimit të vazhdueshëm të fondeve publike mbi veprën e krimit, të cilësuar të tillë, djegësat e Fierit e Tiranës. Siç është rasti i ligjit të Parlamentit për të financuar me qindra milionë euro, klientelën e Edi Ramës, me të cilën ai ndan paratë. Siç është rasti i prokurimeve të Korridorit Blu apo korridorit të hajnisë.Të gjitha këto po rrënojnë me shpejtësi ekonominë shqiptare, po rrënojnë buxhetet familjare. Ai që po e ndjen në mënyrën më të fuqishme, është sektori më kryesor i ekonomisë së vendit, turizmi.

Po ashtu, Berisha kërkon të subvencionohen urgjent biletat e transportit urban e interurban dhe të përgjysmohet menjëherë taksimi i naftës.

Në këto rrethana emergjente, PD kërkon vendosjen e menjëhershme të subvencionimit të plotë të të gjitha biletave të transportit urban dhe interurban në territorin e Shqipërisë. Ky propozim i PD nuk është i pabazuar, por i bazuar te një seri vendesh europiane. Ju kujtoj këtu se në Gjermani, me një biletë mujore prej 9 eurosh, lëviz në mbarë vendin. Së dyti, PD kërkon përgjysmimin e menjëhershëm të taksimit të naftës, që me vlerën 1.1 euro është më i larti në botë. Ai është shndërruar në faktor kryesor të çmimit stratosferik të kësaj lënde djegëse në Shqipëri.

Përgjysmimi i kësaj barre fiskale, do të shoqërohej me një ulje korresponduese, po kaq të rëndësishme të çmimit të naftës. Ata që mendojnë se arka do boshatiset, kjo nuk është e vërtetë. Mjafton që qeveria të zhdoganojë naftën që kalon jashtë sistemit doganor në Shqipëri. Nuk ka asnjë mundësi që nafta të jetë kontrabandë, veçse kur patronohet nga dora e zezë e qeverisë.

Unë jam i vetëdijshëm se Edi Rama me arrogancën e tij dhe vesin e tmerrshëm të vjedhjes dhe pasurimit duke vjedhur fondet e pasuritë publike, nuk merr dhe nuk do marrë parasysh këto kërkesa. Por, unë e garantoj se qytetarët shqiptarë, me revoltën e tyre të ardhshme do të vendosin për këto kërkesa e kërkesa të tjera të programit të emergjencës së PD-së, siç është indeksimi i çmimeve dhe masa të tjera shumë të rëndësishme.