Bota

Rusët avancojnë ofensivën në qytete kryesore të Ukrainës lindore!

Mbi tre muaj nga lufta, në Ukrainën lindore forcat ruse kanë bombarduar dhjetëra qyteza në rajonin e Donbasit dhe po u afrohen dy qyteteve kyçe, Severodonjeck e Lisiçansk. Mijëra civilë rrezikojnë të mbeten të bllokuar, pa rrugëdalje. Presidenti Volodymyr Zelensky, hodhi poshtë sugjerimet për të bërë lëshime territoriale ndaj Rusisë, me qëllim që t’i jepet fund luftës. Për presidentin ukrainas, “këto qëndrime krahason me ato të vitit 1938 kur Perëndimit u tregua “i butë” me Gjermaninë naziste”.

Në zonat që ende kontrollohen nga Kievi, forcat ruse bombarduan 40 qyteza në rajonin e Donbasit. Në një postim në rrjetet sociale, guvernatori i Luganskut, Serhiy Hayday informoi se “rusët kanë avancuar mjaftueshëm sa për të kryer sulme”. Rënia e qyteteve Severodonjeck e Lisiçansk do t’iu mundësonte forcave të Moskës marrjen e kontrollit të provincës Lugansk, një prej synimeve të Rusisë në luftë.

Por, në përditësimin e fundit, Inteligjenca britanike thotë se “ofensiva ruse po përballet me dështime serioze operacionale”, duke përmendur në mënyrë specifike “forcat elitare ajrore”. Sipas Londrës, “kjo gjë nxjerr në pah se investimet e 15 viteve të fundit të presidentit rus, Vladimir Putin për forcat e armatosura, rezultuan në forcë të pabalancuar”.

Ndërkohë, Zelensky bëri sërish thirrje për ndihmën e Perëndimit. “Na duhet ndihma e partnerëve tanë, mbi të gjitha armë për Ukrainën. Ndihmë e plotë, pa përjashtime, pa kufizime dhe e mjaftueshme për të fituar”, – u shpreh Zelensky. Më 24 shkurt, Putin urdhëroi atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi iu kundërpërgjigj me sanksione të ashpra, duke shënjestruar ekonominë e Rusisë dhe oligarkët rusë.

Shefi i Bankës Botërore, David Malpass, paralajmëroi se “lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë recesion global, pas rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë”. Në një takim me bizneset në Shtetet e Bashkuara, Malpass u shpreh se “është e vështirë të gjenden rrugë për ta shmangur recesionin”. Sipas tij, “edhe vala e masave izoluese në Kinë po shton shqetësimet për situatën ekonomike”. Komentet përbëjnë paralajmërimin e fundit se ekonomia botërore mund të tkurret.