Bota

Rusia bën prapakthehu, heq dorë nga braktisja e marrëveshjes me Ukrainën për grurin!

Rusia rikthehet në marrëveshjen që mundëson eksportimin e produkteve të grurit nga Ukraina. Moska e pezulloi pjesëmarrjen në fundjavë duke kërcënuar me përshkallëzim të krizës ushqimore në të gjithë botën. Akordi Kiev-Moskë ishte arritur në korrik, me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara dhe të Turqisë.

Ministria ruse e Mbrojtjes pranoi garanci me shkrim nga Kievi se korridori në Detin e Zi, për kalimin e sasive të grurit, nuk do të përdoret për operacione ushtarake kundër Moskës. Në një deklaratë thuhet:

Federata e Rusisë konsideron se garancitë e pranuara janë të mjaftueshme, ndaj do ta zbatojë sërish marrëveshjen.

Po ashtu, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i tha homologut turk se marrëveshja e 22 korrikut po zbatohet duke nisur nga dita e sotme.

Në fund të tetorit, në tregjet ndërkombëtare “fluturoi” çmimi i grurit, menjëherë pas njoftimit të Rusisë për të pezulluar marrëveshjen me Ukrainën, për transportin e sasive nga portet ukrainase, përmes Detit të Zi. Kjo për shkak të sulmeve që pësoi flota ruse në Sebastopoli. Aspak premtuese u duk situata edhe për misrin e vajin e palmës, sa i përket çmimeve.

Megjithatë, falë ndërhyrjes së OKB-së e të Turqisë, Moska u bind që më 31 tetor të lejonte kalimin e 12 anijeve. Për të plotësuar nevojat në tregjet globale ku çmimet po “kapin majat”, delegacionet e OKB-së e të Ankarasë vunë në dispozicion dhjetë skuadra inspektorësh për të kontrolluar anije në Detin e Zi.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u shpreh se dëshironte të shpëtonte marrëveshjen për eksportet e grurit nga Ukraina nëpërmjet Detit të Zi. Pa hyrë në detaje, dy ditë më parë, zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric deklaroi:

Guterres është thellësisht i shqetësuar e po zhvillon kontakte intensive me qëllim heqjen e pezullimit të akordit.