Bota

Rusia i mbyll rubinetin e gazit edhe Letonisë!

Gazprom bën të ditur se ka ndaluar furnizimet me gaz për në Letoni. Kompania shtetërore ruse e gazit e akuzon këtë shtet baltik se “shkeli kushtet e marrëveshjes”. Letonia është vendi më i fundit i Bashkimit Europian që i shtohet listës së ndalesës nga Moska, pas Polonisë, Bullgarisë, Finlandës, Holandës e Danimarkës. Më herët, këto shtete europiane patën refuzuar ta paguajnë gazin rus me rubla, ashtu siç urdhëroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në kulmin e tensioneve për shkak të pushtimit të Ukrainës e sanksionet që vazhdojnë të pasojnë.

Po ashtu, kujtojmë edhe se Moska zyrtare ka ndaluar shitjet e gazit për kompaninë Shell Energy Europe, në një tjetër vend të Unionit, në Gjermani. Në deklaratën e publikuar më herët gjatë ditës, Gazprom-i nuk specifikoi se cilat kushte pretendon se shkeli Letonia, duke dhënë një njoftim sipërfaqësor e të padetajuar.

Ky njoftim i Gazprom-it rus vjen një ditë pasi kompania letoneze e energjisë, “Latvijas Gaze”, tha se “po blen gaz nga Rusia, por po e paguan me euro në vend të rublave”, monedhës ruse. Një ditë më parë, një zëdhënës i kësaj kompanie specifikoi edhe se “Latvijas Gaze” po blen gaz nga Rusia, por jo nga Gazprom-i. Emri i furnizuesit nuk jepet, duke shmangur çdo hollësi.

Në muajin mars të këtij viti, shefi i Kremlinit theksoi se “nga shtetet që nuk janë miqësore me Rusinë, pas operacionit special ushtarak në Ukrainë të 24 shkurtit, kompania shtetërore e gazit, Gazprom do të kërkojë ta paguajnë gazin me rubla”.

Komisioni Europian pati paralajmëruar se një kërkesë e tillë e Vladimir Putinit shkel sanksionet e Bllokut europian, të vendosura kundër Moskës. Po ashtu, Brukseli zyrtar iu bëri thirrje kompanive europiane, që të vazhdojnë të paguajnë për gaz, me monedhën që është në kontratat e tyre me Gazprom-in, pa iu bindur kërkesës së re të Putinit.