Bota

Rusia me sulme të shpeshta me dronë ndaj Ukrainës/Shumica u asgjësuan!

Pjesë të ndryshme të Ukrainës u përballën me një aksion të ri të Rusisë, që përdori dronë për të kryer sulme, por shumica e tyre u asgjësuan nga mbrojtja ajrore ukrainase. Këto sulme ndodhën një ditë pasi më shumë se 20 civilë u vranë nga dronët e prodhuar nga Irani, ndërsa Moska vazhdonte të godiste qytetin Bahmut, pjesa qendrore e ofensivës së saj lindore.

“Mbrojtësit ukrainas rrëzuan 18 nga 24 dronë në të gjithë Ukrainën”, – tha Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës, duke shtuar se sulmi u nis përsëri nga dy drejtime, nga rajoni verior rus i Brianskut e nga bregu i Detit Azov.

Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev u vu në shënjestër nga dronët, për herë të tretë në katër ditë, por të gjithë u shkatërruan. Megjithatë, mbetjet nga rënia e dronëve dëmtuan automjetet dhe rrugët në pjesë të kryeqytetit. Nuk ka viktima.

Një alarm për sulm ajror që zgjati disa orë u aktivizua në Kiev dhe rajone të tjera. Shpërthimet mund të dëgjoheshin edhe në rajonet Odesa e Zaporizhja. Ndërkaq, dronët vranë të paktën 25 persona, 23 prej tyre në qytetin jugor të Hersonit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu shprehu ngushëllime familjeve.

Zelensky tha se viktimat ishin civilë që u vranë në një qendër tregtare, në një stacion treni, ndërtesa banimi, në një dyqan e në një pikë karburanti në rajonin Herson. Guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin shpalli gjendjen e jashtëzakonshme deri nesër.

Ditët e fundit, Hersoni është sulmuar rregullisht nga forcat ruse të pozicionuara përtej lumit Dnjepër. Ato vazhduan valën e sulmeve të pasuksesshme në qytetin Bahmut, në rajonin lindor të Donjeckut.

Ndërkaq, një ditë më parë pati raportime për zjarre në vende të ndryshme në Rusi, përfshirë një depo karburanti në fshatin rus, Volna pranë urës për në Krime. Po ashtu, Kremlini pretendoi se parandaloi një sulm me dronë që synonte të godiste rezidencën e presidentit rus, Vladimir Putin. Ukraina mohoi çdo përfshirje në sulmin e supozuar, duke sugjeruar se Moska e organizoi përpara një kundërofensive të pritshme ukrainase.