Bota

Rusia vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës/Pasojat!

Një objekt energjetik në rajonin jugor të Ukrainës, Dnipropetrovsk u dëmtua nga zjarri si pasojë e një sulmi rus me dronë mëngjesin e sotëm. Informacionin e konfirmoi ushtria ukrainase dhe një zyrtar rajonal.

Objekti i rëndësishëm energjetik në rajonin Krivorizka u përfshi nga zjarri pasi mbetjet e dronëve të rrëzuar rusë ranë mbi të. Por, zjarrfikësit ia dolën ta shuanin zjarrin.

Shkalla e dëmit nuk mund të vlerësohej menjëherë, siç u shpreh kreu rajonal Serhiy Lysak.

Një ditë më parë, termocentrali Trypilska, një furnizues i rëndësishëm i energjisë elektrike për rajonet e Kievit, Çerkasit e Zhitomirit u shkatërrua nga raketat ruse. Ndërkohë, kundërajrorët ukrainas rrëzuan 16 nga 17 dronët e lëshuar sot nga Rusia në gjashtë rajone të Ukrainës. Kjo u bë e ditur nga Forcat Ajrore të Ukrainës në një mesazh në rrjetet sociale.

Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës rrëzuan 16 UAV të tipit Shahed brenda rajoneve Mikolaiv, Odesa, Herson, Dnipropetrovsk, Vinitsia dhe Hmelnitski.

Rusia ka kryer sulme të mëdha ajrore e me dronë në infrastrukturën civile dhe energjetike të Ukrainës kohët e fundit, duke shkaktuar viktima e dëme të mëdha.

Dje u njoftua se qindra mijëra ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike. Kjo si pasojë e një vale të re sulmesh të mëdha ajrore që Rusia kreu ndaj infrastrukturës së Ukrainës, duke nxitur presidentin Zelensky, t’i lutet përsëri Perëndimit që t’i japë Kievit sistemet kundërajrore për të cilët ka aq shumë nevojë.  Një paketë me ndihmë amerikane në vlerën 60 miliardë dollarë është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan prej muajsh.

Infrastruktura energjetike ishte shënjestra kryesore e sulmeve raketore dhe me dronë nga Rusia në katër rajone ukrainase mëngjesin e djeshëm. Po dje, Harkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit rus, përsëri ishte objektiv kryesor i sulmeve ruse. Zyrtarët ukrainas raportuan për 10 sulme ajrore ruse në Harkiv.

Ndërkohë, Zelensky tha se Rusia kreu sulme me shumë dronë dhe raketa, duke gjunjëzuar sistemin kundërajror të Ukrainës.

Kemi nevojë për mbrojtje ajrore dhe mbrojtje të tjera, jo për shpërfillje e bisedime të gjata. Nëse Rusia lejohet të vazhdojë, raketat ruse dhe Shahed nuk do të sulmojnë vetëm Ukrainën, por edhe përkushtimin e partnerëve të saj. Kjo do të jetë licencë globale për terror.