Aktualitet

Saimir Tahirit i pranohet rekursi, çështja rikthehet në Apelin e Posaçëm!

Gjykata e Lartë i pranon rekursin Saimir Tahirit. Çështja ndaj ish-Ministrit të Brendshëm rikthehet në Apelin e Posaçëm për t’u gjykuar nga tjetër trupë.

Avokati Maks Haxhia:

Kërkuam që Gjykata e Lartë ta zgjidhte çështjen në themel. Përfundimisht, Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U paraqitën arsye që kishin të bënin me shkelje të rënda procedurale që e cënonin vendimin, konform ligjit procedural, konform praktikës së Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Gjykata e Lartë e ktheu çështjen po në Apel, por me një tjetër trupë gjykuese, duke riparuar shkeljet procedurale.

Mes shkeljeve të përmendura nga Gjykata e Lartë ishte se gjatë gjykimit në Apel, morën pjesë gjyqtarë që cënuan pa’anshmërinë e pozicionin juridik të individit në procesin penal.

I pyetur nga gazetarët për strategjinë e radhës, avokati u shpreh:

Presim që me zbardhjen e vendimit, çështja të shkojë në Apel ku do të vazhdojmë të këmbëngulim për pafajësinë e Saimir Tahirit.

SPAK-u kërkonte të lihej në fuqi vendimi i Apelit të GJKKO-së për rigjykim të Tahirit, ndërsa ish-ministri bëri kërkesë për ndryshimin e vendimit të Apelit dhe kthimin po në këtë shkallë, me tjetër trupë gjykuese.

Saimir Tahiri u dënua “Për shpërdorim detyre” me 5 vite burg që iu konvertuan në 3.4 vite shërbim prove. Apeli i Posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Por, Tahiri nuk e la me kaq e bëri rekurs. Më herët, ai u akuzua edhe për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”.