Bota Rajoni

Samiti i Brukselit, edhe Zgjerimi i Unionit në fokus!

Zgjerimi do të jetë mes temave në Bruksel, në samitin dy-ditor të liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe që nis sot. Të tjera tema kryesore të këtij samiti kanë të bëjnë me vazhdimin e ndihmës Ukrainës që përballet me agresionin e Rusisë, situata në Lindjen e Mesme, forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së dhe përgatitja e bllokut për zgjerimin e ardhshëm.

Pritet që gjatë këtij samiti, liderët e BE-së të japin dritën e gjelbër për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën, sipas një rekomandimi të bërë nga Komisioni Europian para dhjetë ditësh. Një vendim i tillë është përfshirë në dokumentin që do të duhet ta miratojnë liderët në këtë samit, draft të cilin e ka siguruar edhe Radio Evropa e Lirë.

Bazuar në rekomandimin e Komisionit Europian nga 12 marsi 2024, Këshilli Europian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën. Këshilli Europian fton të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat kryesorë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022.

Sipas këtij formulimi, nëse liderët do të miratonin vendimin, atëherë nisja e negociatave do të varej nga miratimi i kornizës negociuese, pasi Bosnja të përmbushë kriteret e caktuara. Miratimi i kornizës është i domosdoshëm për të nisur negociatat e anëtarësimit me një shtet kandidat.

Sa i përket temave të tjera të Zgjerimit, në këto konkluzione do të përmenden vetëm Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Po ashtu, aty përmendet edhe nisja e debatit të brendshëm në BE për reformat në prag të zgjerimit.

Këshilli Europian do të shqyrtojë përgatitjet për zgjerim dhe reformat e brendshme duke rikujtuar se në të dy drejtimet duhet të ecet paralelisht, për të siguruar që edhe vendet e ardhshme anëtare edhe BE-ja, të jenë gati me kohë për anëtarësim. Këshilli Evropian do të adresojë reformat e brendshme në takimin e radhës, me synimin që të miratojë deri në verën e vitit 2024 përfundimet mbi udhërrëfyesin për punën në të ardhmen.

Një ditë para nisjes së samitit, Komisioni Europian miratoi një dokument për reformat para Zgjerimit. Në të u përsërit se zgjerimi është një investim gjeostrategjik për paqe në rajon dhe se nga ky proces përfiton e gjithë Europa. Sipas dokumentit, BE-ja po ashtu analizon ndikimin e zgjerimit në bllok, duke nisur nga çështjet politike e administrative dhe deri te ato financiare.

Përmes dokumentit për reforma, KE-ja kërkoi që në procesin e zgjerimit, në disa pika, të kalohet nga miratimi i vendimeve me konsensus në vendim me shumicë të cilësuar. Por, disa vende anëtare, sidomos ato më të vogla, nuk mbështesin një gjë të tillë pasi mendojnë se e drejta e vetos u siguron atyre ruajtjen e interesave kombëtare dhe sadopak ndjenjën se janë të barabarta me vendet e tjera në BE. Procesi i votimit me shumicë të kualifikuar në Këshillin e BE-së favorizon vendet më të mëdha sepse kjo shumicë varet edhe nga numri i banorëve.

Në procesin e zgjerimit, formalisht ndodhen dhjetë shtete. Nëntë prej tyre kanë statusin e vendit kandidat, ndërsa Kosova mbetet i vetmi shtet i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por që kërkesa ende nuk është shqyrtuar formalisht.

Disa vende anëtare, sidomos ato në Baltik, kanë kërkuar që në këtë samit të caktohet edhe data e nisjes formale të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Por, aktualisht nuk ka dakordësi për këtë çështje, pasi ende nuk është miratuar korniza negociuese nga ana e BE-së.