Aktualitet

Sekuestrohen qindra rrënjë kanabis në Krujë, vijon kontrolli i detajuar në disa zona

Vijon kontrolli në territorin e rrethit të Krujës për të parandaluar kultivimit e bimëve narkotike.

Prej disa javësh po zhvillohen kontrolle të detajuara nga policia në të gjithë territorin e Krujës.

Gjatë kontrollit po përdoren dronë, kamera dhe mjete të tjera që iu shërbejnë punonjësve të Policisë, për të vijuar punën në kontrollin e territorit.

Gjatë 3 ditëve të fundit janë kontrolluar 250 sera, 56 shtëpi të braktisura, tunele, territor i pyllëzuar, sipërfaqe publike dhe shtetërore.

Kontrolle të imtësishme janë ushtuar në ambiente të ndryshme, për të cilat ka pasur informacione se mund të përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llambave.

Gjatë kontrolleve në fshatin Fushë Thumanë janë gjetur në një serë 400 kubikë të kultivuar, me fidanë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan gjatë operacionit, ndërsa një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.