Aktualitet

4 të rinj në pranga në Tiranë/Shkëmbenin kanabis në parkingun e një qendre tregtare!

Kishin lënë një takim në një qendër tregtare në Tiranë ku do të shkëmbenin lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, por u kapën nga policia dhe ranë në pranga. Në kuadër të operacionit të koduar “Lokacioni”, uniformat blu arrestuan 4 të rinj. Kjo ndodhi në momentin kur do të shkëmbenin 16.2 kg kanabis. Bima narkotike ishte fshehur në thasë të zinj në bagazhin e një makine.

Njoftim për shtyp:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Lokacioni”.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta shtetas janë kapur në flagrancë, në parkingun e një qendre tregtare në periferi të Tiranës, duke shkëmbyer 2 qese plastike brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 16.2 kg.

Në pranga ranë Demokrat Dylgjeri, 32 vjeç, si edhe Haziz Zylfa, Vladimir Kani e Hyxhers Mete, të tre 23 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e këtij të fundit, policia gjeti edhe 90 gr kokainë. Po ashtu janë sekuestruar edhe 5 celularë e një shumë parash. Blutë e kryeqytetit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Në pranga i çuan hetimet 5-mujore 

Antidroga e Tiranës zhvilloi hetime për të paktën 5 muaj duke arritur të gjejë prova e të organizojë operacionin për arrestimin e 4 personave me rrezikshmëri të lartë. Të arrestuarit ishin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë ku prej kohësh bashkëpunonin mes tyre për shitjen e drogave të forta e të lehta. Ata takoheshin në vende të ndryshme të populluara, duke shfrytëzuar edhe mjedise si qendra tregtare.

Grupi kriminal ishte i sofistikuar dhe ruhej nga policia. Në takimet e tyre përdornin automjete të shumta, që mos të udhëtonin me një mjet të vetëm. Demokrat Dylgjeri nga Elbasani figuron me precedentë penalë për armë, Vladimir Kani nga Fushë Kruja ka qenë i dënuar më herët për drogë. Edhe personat e tjerë janë me precedentë penalë.