Rajoni

Serbia pret presion të ri për dialogun me Kosovën/Presidenti serb paralajmëron zgjedhje në Serbi!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç pret “presion të ri” nga Perëndimi ndaj Serbisë lidhur me bisedimet me Kosovën. Për televizionin Pink u shpreh:

Në thelb, ata u pajtuan me gjithçka që po bën Albin Kurti dhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është diçka që duhet ta bëjnë patjetër sepse marrëveshja për të është nënshkruar dhjetë vjet e gjysmë më parë dhe sepse ne insistojmë.

Pas takimit të dështuar të 14 shtatorit Vuçiç-Kurti, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Bashkimi Europian do të konsultohet me shtetet anëtare dhe Shtetet e Bashkuara për hapat e mëtejshëm.

BE-ja tha se “Kosova refuzoi një propozim të bllokut europian për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Prishtina dhe Beogradi arritën më herët këtë vit”. Kurti u shpreh se ky propozim ishte “kushtëzim”.

Vuçiç paralajmëron zgjedhje në mars

Vuçiç njoftoi për mundësinë që zgjedhjet në Serbi mund të mbahen më 4 mars 2024 apo një javë më herët. Këto zgjedhje ishin caktuar për më 31 dhjetor.

Jam i gatshëm të mbajmë zgjedhjet në mars.

Më 11 shtator, përfaqësuesit e opozitës që kanë organizuar protestat “Serbia kundër dhunës” dorëzuan një kërkesë duke i kërkuar Vuçiçit që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe votime në Beograd deri në fund të vitit.

Kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme është dërguar nga Partia Demokratike, Kryengritja Ekologjike, Fronti i Gjelbër dhe grupet parlamentare Lëvizja e Popullit të Serbisë dhe Drejtimi i Europës.

Më 5 shtator, deputetët opozitarë njoftuan se do të “bllokojnë” Parlamentin e Serbisë derisa t’iu plotësohet kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve, pasi kanë mbajtur protesta për katër muaj me radhë për shkak të dy vrasjeve masive në Serbi.

Vuçiç mohon se do të largojë Vulinin nga udhëheqja e BIA-s

Presidenti tha se “mund të ketë planifikuar” të zëvendësojë drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksander Vulin, por shtoi se “nuk mund ta bëjë këtë tani”.

Duke komentuar spekulimet nga disa media se Vulin shpejt do të zëvendësohet, Vuçiç theksoi se të tilla pretendime “ia zgjatën mandatin”.

Ndoshta kam planifikuar që ta zëvendësoj, por tani nuk mundem.

Ai mohoi se Vulin do të zëvendësohet nga Marko Gjuriç, ambasadori aktual i Serbisë në Shtetet e Bashkuara.

Më 11 korrik, Amerika e futi Vulinin në listën e sanksioneve, nën akuza për përfshirje në trafik droge, si edhe për lidhjet me Rusinë.