Bota

Blinken e Cameron apel mbi miratimin e ndihmës për Ukrainën!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, si dhe sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron u bashkuan duke i bërë thirrje Kongresit Amerikan që të miratojë ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, duke theksuar se “financimi është kritik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Europës e mbarë botës”.

Duke folur pas takimit në Departamentin e Shtetit në Uashington, Blinken përsëriti thirrjet për ligjvënësit që ta zhbllokojnë ndihmën që presidenti Joe Biden kërkon prej muajsh, ndërsa Cameron tha se do ta kërkojë të njëjtën gjë gjatë takimeve që pritet të zhvillojë në kuadër të vizitës në Uashington.

Unë vij këtu pa ndonjë qëllim që t’i jap leksione dikujt apo t’i them dikujt se çfarë të bëjë… Unë, thjesht, vij këtu si mik dhe si besimtar i madh në këtë vend. Unë besoj se është thellësisht në interesin tuaj që t’i zhbllokoni ato para!

Zyrtarë të shumtë të huaj u kanë kërkuar ligjvënësve amerikanë që të veprojnë me shpejtësi për të miratuar ndihmën për Ukrainën. Javën e kaluar në Bruksel, pothuajse të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s vunë në dukje se kontributi i SHBA-ve është thelbësor.

Paketa e re e ndihmës për Ukrainën, në vlerë prej 60 miliardë dollarësh ka disa muaj që është bllokuar në Kongresin Amerikan e kjo kryesisht për shkak të ligjvënësve republikanë që janë pro ish-presidentit Donald Trump. Ky i fundit pritet të garojë sërish për president në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti dhe vazhdimisht ka shprehur rezerva për ndihmën që i jepet Ukrainës, vend që lufton prej mbi dy vitesh kundër pushtimit rus.

Në një intervistë dhënë Televizionit Fox News në fillim të këtij muaji, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Mike Johnson u shpreh se ai do që ndihma e re për Ukrainën të miratohet “tani” dhe ka thënë se do të propozojë një paketë së shpejti, ndërsa dje Kongresi rifilloi punë pas pushimeve.

Johnson, aleat i Trump-it, ka shtuar se propozimi i tij do të përfshijë “risi të rëndësishme”, por nuk i ka përshkruar. Paketa që mbetet e bllokuar, kryesisht përfshin fonde për armë e të tjera pajisje ushtarake.