Bota

SHBA, shembja e urës në Baltimorë, kërkime për 7 të zhdukur!

Vazhdojnë kërkimet për të zhdukur, pas shembjes së një pjese të një ure të madhe në Baltimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi sot në mëngjes u godit nga një anije. Ekipe amerikane të shpëtimit janë duke kërkuar për të mbijetuar në ujë. Dy persona u nxorën me shenja jete, por njëri prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore, siç vuri në dukje shefi i Departamentit të Zjarrfikësve në Baltimor, James Wallace.

Ai tha se autoritetet “mund të jenë duke kërkuar vetëm për shtatë persona”, por shtoi se ky numër mund të ndryshojë. Nuk është e qartë nëse dy të shpëtuarit u përfshinë në këtë shifër. Një anije me flamur të Singaporit goditi njërën prej shtyllave mbajtëse të urës Francis Scott Key duke shkaktuar shembjen e pjesshme të saj. Anija shpërtheu në zjarr si pasojë e nisi të fundosej, por ekuipazhi shpëtoi.

Kjo është një gjendje serioze emergjente, tha Kevin Cartwright, drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimor. Përqëndrimi ynë tani është të tentojmë t’i shpëtojmë këta njerëz, tha Cartwright.

Më tej vuri në dukje se është shumë herët të dihet sa njerëz janë prekur nga ky incident, por ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar shtatë njerëz në ujë dhe e cilësoi shembjen e urës si “një ngjarje që mund të ketë shumë viktima”.

Carwright informoi se anija “Dali” po lundronte përmes Baltimorës në drejtim të Kolombos në Sri Lanka, sipas autoriteteve.

Të gjitha korsitë nga të dyja drejtimet janë mbyllur për shkak të incidentit në I-695 Bridge, thanë autoritetet e transportit në Merilend.

Ura e Francis Scott Key-it, e hapur në vitin 1977 është pak më shumë se 1.5 milje (2632 metra) e gjatë dhe përshkon portin e Baltimorës si një pjesë integrale e Beltway. Në kohën e hapjes së saj, New York Times vuri në dukje se struktura “do t’u siguronte shoferëve që udhëtonin përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një alternativë tërheqëse ndaj tunelit të portit të Baltimorës, të bllokuar nga trafiku.

Ura kushtonte 141 milion dollarë në atë kohë e që sot është shuma ekuivalente e 735 milion dollarëve. Tranziti përgjatë urës, mesatarisht llogarit 11 milion automjete në vit e është një nga rrugët e autorizuara për të transportuar mallra të rrezikshme përmes portit të Baltimorës e ku nuk mund të kalojnë dy tunelet e emërtuara Baltimore Harbor dhe Fort McHenry.

Harku qëndror në të cilin goditi anija e mallrave “Dali” ka një hapje prej 366 metrash dhe rezulton i treti më i gjatë në nivel global.