Rajoni

SHBA thirrje Malit të Zi të luftojë korrupsionin!

Me Malin e Zi, dy zyrtarët e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Karen Donfried e Gabriel Escobar mbyllën turin e vizitave në Ballkanin Perëndimor. Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike e zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit u ndalën edhe në Shqipëri përveçse në Kosovë, Serbi e Bosnje. Me kryeministrin e ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Donfried tha se “krimi i organizuar dhe korrupsioni duhet të luftohen”.

Nëse nuk punohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, përparimi dhe demokracia e Malit të Zi do të vazhdojnë të vuajnë, ndërsa anëtarësimi në BE do të mbetet vetëm në nivelin e aspiratave. Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me Qeverinë për të siguruar përparimin e Malit të Zi në rrugën euroatlantike, përfshirë përshpejtimin e anëtarësimit në BE, fuqizimin e hyrjes në NATO dhe promovimin e shoqërisë gjithëpërfshirëse e civile.

Abazoviç u shpreh se në fokus janë shteti i së drejtës, bashkëpunimin rajonal dhe investimet. Ndërkohë, gjatë bisedës me kryetaren e re të zgjedhur të Parlamentit të Malit të Zi, Donfried deklaroi se “pritet që të gjithë deputetët të marrin pjesë plotësisht në punimet e Kuvendit, për të zgjidhur çështjet e vështira”.

Përfshirë përmirësimin e ekonomisë, luftën kundër korrupsionit dhe thirrjen e Rusisë në përgjegjësi për luftën brutale kundër Ukrainës.

Në fillim të muajit, ish-qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiç miratoi sanksione ndaj Rusisë. Përmes tyre bllokohen pronat dhe burimet ekonomike të disa qytetarëve e kompanive ruse në Mal të Zi e ndalohet puna e mediave qeveritare ruse. Më herët, më 4 mars, u ndaluan fluturimet për të gjithë avionët rusë e me këtë vendim, Mali i Zi iu bashkua anëtarëve të BE-së, të cilët mbyllën hapësirën për trafikun ajror me Rusinë, si përgjigje ndaj agresionit ushtarak kundër Ukrainës.

Kryeparlamentarja Danijela Gjuroviç shprehu bindjen se Mali i Zi do të vazhdojë të respektojë rrugën e tij europiane dhe euroatlantike.
Donfried vuri në dukje rëndësinë e fillimit të një dialogu parlamentar mbi emërimet kryesore në prokurori e gjyqësor, si dhe për arritjen e një konsensusi të gjerë për reformimin e legjislacionit zgjedhor.