Bota

Shefi ekzekutiv i kompanisë ajrore australiane: “Vaksina anti-Covid në të ardhmen, kusht”

Vaksina e koronavirusit do të jetë kusht në të ardhmen nëse do të dëshironi të udhëtoni me avion. Shefi i kompanisë australiane të fluturimeve “Qanta”, Alan Joyce tha se do të jetë e domosdoshme certifikimi i vaksinimit të një pasagjeri, kur vaksina të jetë në dispozicion.

“Unë mendoj se kjo do të jetë një gjë e zakonshme duke biseduar me kolegët e mi në linjat e tjera ajrore nëpër botë,” tha ai. Australia mbylli kufijtë e saj ndërkombëtarë gjatë pandemisë dhe është mbështetur së fundmi në bllokime, testime të përhapura dhe gjurmim të kontakteve për të shtyrë infeksionet e përditshme në të gjithë vendin afër zeros.

Në një intervistë me “Nine Network të Australisë”, Joyce tha se “Qantas” po shikonte mënyra për të ndryshuar termat dhe kushtet e saj për udhëtarët ndërkombëtarë pasi industria, e cila është goditur rëndë nga kufizimet e udhëtimit, shikon mënyrat për të ecur përpara. “Ne do t’u kërkojmë njerëzve të bëjnë një vaksinim para se të mund të hipin në avion, për vizitorët ndërkombëtarë që vijnë dhe njerëzit që largohen nga vendi mendojmë se kjo është një domosdoshmëri,”.

Në gusht, Kryeministri i Australisë, Scott Morrison tha se ishte e mundshme që çdo vaksinë e suksesshme do të bëhej “aq e detyrueshme sa mund ta bënit”. “Gjithmonë ka përjashtime për çdo vaksinë për arsye mjekësore, por kjo duhet të jetë baza e vetme,” tha Morrison. Po atë muaj, “Qantas” raportoi një humbje vjetore prej gati 2 miliardë dollarësh për shkak të ndikimit të pandemisë së koronavirusit. Joyce tha në atë kohë se kushtet e tregtisë ishin më të këqijat në historinë 100-vjeçare të linjës ajrore. Australia ka regjistruar rreth 900 viktima të lidhura me koronavirusin dhe pothuajse 28,000 infeksione.