Bota

Shefi i NATO-s, Stoltenberg: “Mirëpresim Finlandën!”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përshëndeti sot njoftimin e presidentit dhe kryeministres së Finlandës se “do të mbështesin anëtarësimin e vendit në aleancën ushtarake”, nën dritën e luftës ruse në Ukrainë që vazhdon prej datës 24 shkurt. “Nëse Finlanda vendos të aplikojë, ajo do të mirëpritet ngrohtësisht në NATO dhe procesi i anëtarësimit do të jetë i qetë dhe i shpejtë”, – tha Stoltenberg në një deklaratë, duke përshëndetur vendimin e presidentit Sauli Niinisto dhe kryeministres Sanna Marin.

Zyrtari i lartë theksoi se “Finlanda është një nga partnerët më të afërt të NATO-s, një demokraci e pjekur, një anëtare e Bashkimit Europian dhe kontribuese e rëndësishme për sigurinë euroatlantike”. Stoltenberg nënvizoi:

Anëtarësimi i vendit në NATO do të forconte sigurinë e Aleancës Veri-Atlantike dhe gjithashtu të Finlandës.

Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit finlandezë njoftuan synimin e tyre për të kërkuar anëtarësimin në NATO “pa vonesë”, duke sfiduar paralajmërimin e Rusisë se nuk duan një tjetër anëtar të Aleancës në kufijtë e tyre.

“Anëtarësimi i mundshëm i Finlandës në NATO do të përbënte një kërcënim për Rusinë”. Më herët gjatë ditës, deklarata erdhi nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, menjëherë pasi zyrtarët e Helsinkit u shprehen se “mbështesin bashkimin me aleancën ushtarake perëndimore”. I pyetur nëse masa finlandeze mund të shihet si kërcënim nga Kremlini, Peskov u përgjigj “pa dyshim”, referuar agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.

Finlanda ndan një kufi prej 1.300 kilometrash me Rusinë dhe në fillim të Luftës së Dytë Botërore ajo mbronte ashpër veten nga një pushtim sovjetik. Vendi mbajti neutralitet të rreptë ushtarak gjatë Luftës së Ftohtë, por në vitin 1995 arriti marrëveshje partneriteti me NATO-n. Pasi Rusia nisi një luftë kundër Ukrainës fqinje më 24 shkurt, mbështetja për anëtarësimin e Finlandës në NATO u rrit ndjeshëm në opinionin vendas. Rusia vazhdimisht ka thënë se Finlanda dhe fqinji i saj Suedia nuk duhet t’i bashkohen NATO-s, duke e quajtur këtë hap si një kërcënim për sigurinë e saj.