Aktualitet

Shkrirja e bordit të naftës/ Çmimi më i lartë që regjistroi ishte 270 lekë për litër!

Me një Akt Normativ Këshilli i Ministrave miratoi shkrirjen e Bordit të Transparencës, i ngritur në mars të vitit të kaluar për caktimin e çmimeve të karburanteve, që pësuan rritje për shkak të nisjes së luftës ruse në Ukrainë. Bordi funksionoi për rreth 15 muaj dhe çmimi më i lartë që vendosi gjatë kësaj periudhe ishte gati 270 lekë për litër. Eksperti Pano Soko thotë se “vendimi duhej të ishte marrë shumë kohë më përpara”.

Sepse ne patëm një deformim të tregut që na erdhi nga një aktor, i cili duhej të luftonte deformimet e tregut. Ky është shteti shqiptar. Por, çfarë bëri ai? Ndërtoi vetë kartelin. Ka kompani në tregun e hidrokarbureve që kanë rreth 1 miliardë euro qarkullim në vit, kështu që interesat e tyre kanë qenë shumë më të forta se të kompanive të ushqimeve dhe ia dolën mbanë të ushtronin presion mbi qeverinë.

Shkrirja e bordit vjen pas stabilizimit të tregjeve ndërkombëtare dhe goditjes që akti normativ mbi të cilin u ngrit bordi, mori nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Gjergj Buxhuku nga Konfindustria vlerëson:

Vendimi nuk pritet të sjellë asnjë ulje të çmimeve të karburanteve në treg, përkundrazi mund të përkeqësohet më tej. Arsyeja e përfundimit të mësipërm është mungesa e konkurrencës së lirë në tregun e karburanteve, si pasojë e pranisë së oligopoleve dhe marrëveshjeve të tipit kartel. Mungesë e qartë e standardeve të konkurrencës vërehet sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregtar si shërbimet portuale, të depozitimit e të tregtisë me shumicë të karburanteve.

Konfindustria përsërit kërkesën për krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve sipas modeleve të ngjashme të suksesshme në rajon. Tregu strategjik i karburanteve ka qarkullim vjetor në mbi 11% të PPB-së me mbi 1.5 miliardë dollarë në vit, duke qenë nga më të mëdhenjtë e ekonomisë shqiptare.

Shqipëria ka çmimet krahasimore të karburanteve nga më të lartat në nivel kontinenti e më gjerë. Në Maqedoninë e Veriut ku funksionon Agjencia Rregullatore e Karburanteve, çmimi i naftës është 124 lekë/litër, ndërsa në Shqipëri, 176, dmth mbi 15-20 lekë/litër më shtrenjtë, marrë parasysh ngarkesën fiskale. Kostot në tregun shqiptar rriten më shumë nga standardet e dobëta të cilësisë dhe vjedhjet me volumet në pikat e shitjes me pakicë./ Top Channel