Aktualitet

Shkrumbohet banesa në Vlorë, por shpëtojnë familjarët!

Digjet banesa në Vlorë, shpëtojnë familjarët. Në orët e para të mëngjesit, një shtëpi u përfshi nga flakët në lagjen “Hajro Çakërri” të qytetit bregdetar jugor. Bëhet e ditur se krahas policisë, dy mjete zjarrfikëse dhe 8 zjarrfikës ndërhynë menjëherë në vendngjarje.

Fillimisht u bë e mundur që të nxirreshin familjarët nga banesa që po digjej e pas shumë përpjekjesh duke hedhur vazhdimisht ujë, u arrit të lokalizoheshin e të shuheshin flakët. Dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi shtëpia u shkrumbua, me çdo gjë që kishte në brendësi. Për fat të mirë, njerëzit që jetonin aty shpëtuan pa dëmtime.

Ndërkaq, një grup hetimor po punon për të përcakuar shkaqet e shkrumbimit të banesës, duke e lënë në qiell të hapur familjen që banonte në shtëpinë e djegur.