Aktualitet Rajoni sport

Shorti i Europianit, presidenti i federatës serbe: Dashtë Zoti nuk luajmë me Shqipërinë!

Në Serbi nuk duan që në Europian të përballen me Shqipërinë. Ka qenë presidenti i fededratës serbe të futbollit, Dragan Dzajiç, i cili i pyetur për kundërshtarët që nuk dëshiron në Euro 2024, ka përmendur edhe Shqipërinë.

Konkretisht ai është shprehur se ‘dëshirat dhe realiteti janë dy gjëra të ndryshme’, ‘por përveç kombëtareve si Gjermania, Spanja dhe Rumania, ka shtuar që ‘dashtë zoti nuk përballemi as me Shqipërinë’.

Cilido që e përcakton shorti do të jetë kundërshtar i vështirë. Nuk mund të them tani që vetëm të mos e kemi Gjermaninë, Spanjën apo Francën. Janë të vështirë, gjithashtu edhe Rumania, Zot mos lejo që të na bie Shqipëria. Të gjitha mund të na shkaktojnë probleme.

Presidenti i federatës serbe i referohet incidenteve që mund të ndodhin në Gjermani nëse Shqipëria dhe Serbia bien në të njëjtin grup, ndërsa shorti i Europianit do të hidhet këtë shtunë më 2 dhjetor.

Për herë të fundit këto dy skuadra janë përballur në kualifikueset e Euro 2016 me ndeshjen e zhvilluar në Beograd që u ndërpre për shkak të trazirave dhe iu akordua fitore në tavolinë Shqipërisë nga CAS i Lozanës.

Kualifimi i Shqipërisë në Euro 2024

Shqipëria barazoi ndaj Moldavisë 1-1 në stadiumin “Zimbru” duke siguruar pjesmarrjen për herë të dytë në histori në finalet e një Kampionati Europian. Vetëm një pikë mjaftonte për të shkuar në “Gjermani 2024” dhe kuqezinjtë ja dolën më së miri, ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë këtij edicionin kualifikues duke siguruar me plotë meritë finalet e Kampionatit Europianit në “Gjermani 2024”.

Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Moldavisë: Berisha (GK), Hysaj, Gjimshiti (C), Ismajli, Mitaj, Ramadani, Asllani, Bajrami, Seferi, Asani, Cikalleshi.

Shqipëria dominoi takimin që në startin e ndeshjes dhe arriti ta zhbllokonte sfidën në minutën e 25 me Sokol Cikalleshin. Taulant Seferi fitoi një penallti pas një faulli të shkaktuar në zonë nga lojtari moldav. Nga pika e bardhë e 11 metrave goditi saktë Cikalleshi duke i dhënë avantazhin skuadrës tonë.

Pjesa e parë u mbyll 1-0 në favor të kuqezinjve, ndërsa fraksioni i dytë nisi më mirë për vendasit që rrezikuan me disa goditje, megjithatë Berisha ishte i gatshëm në portë duke shmangur çdo lloj rreziku. Në minutën e 62 trajneri Silvinjo kreu zëvëndësimin e parë duke aktivizuar Mirlind Dakun ndërsa në të 74-ën Seferi i shkoi shumë pranë golit të dytë, por goditja u ndal nga tranversa.

Në minutat në vijim Silvinjo futi në fushën e lojës edhe Gjasulën ndërsa në të 87-ën pas një aksioni të rrezikshëm Moldavia vendosi baraspeshën me golin e Baboglo. Megjithatë, në fund gjithçka përfundoi 1-1 dhe më pas festa legjitime.