Aktualitet Bota

“Shqipëria e përkushtuar ndaj NATO-s”, Stoltenberg: Në Kosovë punojmë paralelisht me BE

Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar sot në Bruksel një takim me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg. Në bisedën mes tyre janë cekur zhvillimet strategjike dhe të sigurisë në krahun lindor të NATO-s dhe Ballkanin Perëndimor. Po ashtu temë e diskutimeve do të jetë vijimi i mbështetjes për Ukrainën; angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë në NATO, si edhe pritshmëritë për Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Vilnius, Lituani, në korrik të këtij viti.

Në këtë vizitë zyrtare, presidenti Begaj do të shoqërohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Arben Kingji dhe anëtarë të kabinetit të tij. Kjo është vizita e parë zyrtare në NATO e presidentit Begaj në cilësinë e Presidentit të Republikës.

“Kënaqësi të kemi një president të Shqipërisë që e njeh kaq mirë NATO-n”. Kështu e nisi fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, teksa përmendi historikun e kontributeve të vendit tonë në aleancën euroatlantike.

“Ju kontribuoni në Letoni e Bullgari për të penguar ndonjë agresion të mundshëm dhe shërbeni në Kosovë e Irak. Shteti juaj iu përgjigj me shpejtësi pasojave të tërmetit shkatërrues në Turqi. Shqipëria luan rol të rëndësishëm për stabilitetin në rajon, i cili ka rëndësi strategjike për NATO-n. Përgëzoj Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve të ratifikimit të Finlandës dhe Suedisë. Të gjitha tregojnë angazhimin e Shqipërisë ndaj NATO-s”.

Stoltenberg theksoi gjithashtu edhe mbështetjen e NATO-s ndaj Shqipërisë sidomos gjatë sulmeve kibernetike.

“Edhe NATO është e angazhuar ndaj Shqipërisë. Ekspertët e NATO-s ofruan mbështetje urgjente për sulmet kibernetike. Diskutuam për Ukrainën. Diskutuam për Ballkanin Perëndimor, misionin KFOR dhe zyrat në Sarajevë e Beograd. Folëm për rritjen e mbështetjes së Bosnjë-Hercegovinës dhe progresin e dialogut Prishtinë Beograd. Presim zhvillime konstruktive në vijim”.

Ai tha se NATO do të ndihmojë në thjeshtimin e dialogut Prishtinë Beograd dhe theksoi se NATO është e pranishme në Kosovë. Stoltenberg u bëri thirrje palëve për kompromis.

“KFOR po luan një rol të madhe aleatët janë të angazhuar që të kontribuojnë në Kosovë ka prani të konsiderushme të NATO-s në Kosovë, punojmë paralelisht me BE-në në Kosovë. NATO do të vazhdojë të lehtësojë dialogun Prishtinë-Beograd se mendojmë që kjo rruga e zgjidhjes në Kosovë, kemi mundësi historike me përfitim për të gjithë rajonin, mirëpresim qasjen konstruktive. Palët të dëshmojnë gatishmëri për kompromis”.